Italia ka konfiskuar jahtin e Alexei Mordasov, ndërsa Franca ka sekuestruar jahtet luksoze të Igor Setsin dhe Alisher Usmanov. Bëhet me dije qeveritë evropiane po nxitojnë të bllokojnë jahtet dhe vilat e oligarkëve rusë, të cilët po goditen nga sanksionet perëndimore kundër Moskës.
“Ne jemi në ujëra të paeksploruar,” tha Benjamin Maltby, një partner në firmën ligjore britanike Keystone Law, e cila është e specializuar në çështjet e pronësisë së jahteve luksoze. “Është një realitet që nuk ka ndodhur kurrë më parë”.
Ekspertët argumentojnë se, në përgjithësi, sanksionet nuk i lejojnë vendet të fitojnë (kaq thjesht) pronësinë e jahteve, avionëve dhe shtëpive të oligarkëve rusë.
Sipas tekstit zyrtar të sanksioneve në Bruksel dhe Uashington, masat “nuk lejojnë ata që u pasuruan shumë në raport me popullin rus dhe ndihmuan Putinin të pushtojë Ukrainën, të përdorë pasuritë e tyre të ngrira dhe të ose të sekuestruara”.
Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Prona e “bllokuar” mbetet pronë e oligarkëve, por ata nuk mund ta shesin. Setsin dhe Mordasov, për shembull, mbeten pronarë të jahteve të tyre, por ata nuk mund t’i shesin apo udhëtojnë me to.
Që oligarkët të mos zotërojnë super jahtet, avionët dhe shtëpitë luksoze, duhet që të jepet një vendim në kuadër të një vepre penale.
“Qeveria duhet të provojë si krimin ashtu edhe lidhjen me të inkriminuar” tha Stefan Cassella, ish-kreu i Zyrës së Prokurorit të Maryland. Dhe kjo është diçka shumë e vështirë, pasi përveç aktivitetit kriminal, duhet vërtetuar se paratë e paligjshme janë përdorur për të blerë këtë jaht, avion apo vilë.
Sipas ekspertëve, procedurat ligjore për ndryshimin e pronësisë mund të zgjasin disa vite.






































