Legjionarët po kalojnë momente të mira me skuadrat e tyre europiane, madje një pjesë e futbollistëve janë protagonistë me klubet e tyre dhe po bëjnë punë të mirë, duke rritur kuotat e tyre në treg dhe duke qenë ndër lojtarët e kërkuar nga klubet serioze në Europë. Padyshim që kur është çështja tek Kombëtarja rëndësi marrin lojtarët që luajnë në kampionatin italian, jo vetëm pse trajneri vjen nga Italia dhe është një veteran i “regjur” i ekipeve italiane, por edhe se pjesa dërrmuese e formacionit bazë të Kombëtares aktivizohet në Serie A ose në Serie B italiane. Kjo shton interesin e palëve, por njëherësh i bën futbollistët tanë të rrisin kreditit e tyre në treg,m pra për t’u shitur më shumë në merkaton e futbollistëve.
Mesfushori
Dy nga emrat më të spikatur të Kombëtares në këtë moment kërkohen nga dy klubet rivale të Milanos. Kështu, emri i Nedim Bajramit që lidhet me një klub të madh si Milani është vetëm profili i radhës që mund të bëjë hapin e madh në karrierë. Fantazisti i Empolit kërkohet edhe nga Juventusi, teksa mësohet që edhe Murinjo e ndjek me kërshëri. Admirues në Itali, por edhe jashtë saj, ka edhe Berat Gjimshiti. Mbrojtësi monitorohet nga Interi, ndërkohë që Lacio po lufton me kohën për t’i rrëmbyer firmën e rinovimit Thomas Strakoshës. Edhe Kumbulla pas një nisjeje të vakët ka joshur Murinjon, teksa Ismajli e Berisha janë vlerësuar gjithmonë nga klubet e Serisë A. Kristjan Asllani është një tjetër xhevahir i Empolit të shqiptarizuar. Për mesfushorin ka interes nga disa skuadra, ndërkohë që tek Interi po bëhet gati për hapin e madh edhe Kevin Zefi, 17-vjeçari me origjinë shqiptare që deri në këto momente duket i orientuar të përfaqësojë Irlandën. Edhe Molla te Bolonja pret një shans, por nuk do të ishte çudi që djaloshi të huazohet për të fituar përvojë e cila në një të ardhme mund t’i shërbejë edhe Shqipërisë.
Merkato për Brojën e ngecur, shkak pezullimi i Çelsit
Armando Broja është një prej futbollistëve që po shkëlqen më shumë këtë sezon, pasi është shqiptari i parë që në një moshë të tillë (U-20), po shënon gola në një nivel kaq të lartë të futbollit botëror, pikërisht me Sauthemptonin. Ndërkohë, vendimi i marrë nga Qeveria Britanike për të sanksionuar pasurinë e rusit Roman Abramoviç, që hyn këtu dhe klubi i Çelsit, do të thotë që “blutë” nuk mund të shesin dhe as të blejnë lojtarë në merkaton e ardhshme. Por çdo të ndodhë me lojtarët e huazuar? Njëri prej tyre është dhe sulmuesi shqiptar, Armando Broja, i cili është i huazuar te Sauthemptoni. Shumë klube janë vënë në ndjekje të Brojës, përfshirë këtu dhe vetë Sauthemptonin, por tani që Çelsi e ka të ndaluar që të fitojë para, 20-vjeçari do të rikthehet sërish me “blutë”. A është ky një lajm i mirë për Brojën? Për sa kohë Çelsi nuk mund të shesë lojtarë, do të thotë që edhe sulmues të tjerë si Lukaku dhe Verner do të vazhdojnë të jenë në skuadër. Rivaliteti me belgun dhe gjermanin do të jetë shumë i vështirë për shqiptarin. Gjithsesi çdo gjë pritet të shikohet në ditët në vazhdim, për të kuptuar se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e kampionëve të Europës dhe botës. Kështu do të mësohet dhe e ardhmja e sulmuesit shqiptar, Armando Broja.






































