Shfaqja “Rrëfimet tona” pas skenës së Tiranës u shfaq mbrëmë në Durrës. Me regji nga Driada Dervishi në këtë shfaqje janë aktore të njohura. Në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” ishin aktoret Margarita Xhepa, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, Olta Daku, Erjona Kakeli, Alesia Xhemalaj, me pjesëmarrjen e Arta Dades, Xheni Karaj dhe Dj Miss Rose. Në skenën e Tiranës në teatrin Kombëtar shfaqja erdhi në kuadër të festivalit “FemFest”. Regjisorja Driada Dervishi shprehet se çdo 8 mars kishte ëndërruar për një shfaqje për gratë. “Çdo vit kam menduar që nuk kam bërë aq sa duhet për gratë, që nuk kanë mundur të flasin, për vajzat që kur folën ua mbyllën gojën, për nënat tona të përkushtuara gjer në dhembje, për gjyshet tona që zërin nuk e ngritën kurrë!”, shprehet regjisorja Dervishi. Ajo tregon se kur mori ftesën për tu bërë pjesë e këtij festivalit, e kuptoi që ëndrra e saj mund të realizohej. “Kur Iliriana Loxha Basha më ftoi (pa u takuar asnjëherë më parë ) për t’u bërë pjesë e “FemFest”, festivalit të parë të gruas shqiptare, e kuptova që ky ishte viti që ëndrra mund të më realizohej! Faleminderit për besimin e madh Iliriana! You did it Woman! Dhe a mund të realizohej më bukur kjo ëndërr me praninë e jashtëzakonshme të së madhes Margarita Xhepa, të Luiza Xhuvanit, Rajmonda Bulkut, Olta Dakut, Erjona Kakelit, Alesia Xhemalajt e veçantinë e Arta Dades e Xheni Karaj dhe Dj Miss Rose! Me ndihmën e koreografes së re Semela Skënderasi!”, vijon regjisorja Dervishi në një status të saj në Facebook. Për regjisoren Drvishi ishte emocion i rrallë që shfaqja u hap dhe u mbyll me zërin e ëmbël të Anissa Markarian. “Përgjegjësi e madhe të kisha në sallë një nga autoret, që ka shënjuar qasjen time ndaj kauzave të tilla Elvira Dones!”, shprehet më tej ajo për këtë shfaqje që u prezantua në Durrës. Në ditën e gruas regjisorja Driada Dervishi në premierën “Rrëfimet tona” me zërin e artisteve të njohura rrëfeu historitë e 9 grave të vrara.