Është hedhur dje shorti i gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, raund ku janë kualifikuar Vllaznia, Partizani, Laçi dhe Teuta. Dhe goglat dy skuadrat më me emër i vendosën përballë njëra-tjetrës. Kështu, Partizani do të sfidojë Vllazninë, me takimin e parë që do të zhvillohet në kryeqytet, ndërsa i kthimit në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Teuta-Laçi është dueli tjetër. Ekipi durrsak do e luajë si pritës ndeshjen e parë, teksa në Kurbin do të mësohet ekipi që do kualifikohet në finale. Sfidat e para do të zhvillohen më 30 mars dhe ato të kthimit më 13 prill, datë kur do mësohen dy ekipet që do garojnë për trofeun e dytë më të rëndësishëm të futbollit shqiptar. Finalja e madhe do të luhet më 31 maj në stadiumin “Air Albania”. Partizani e ka fituar 15 herë këtë trofe, Vllaznia 7 herë, ndërsa Teuta e Laçi numërojnë nga 4 dhe 2 suksese.
Olsi Rama komenton shortin e Partizanit
Të kuqtë e kanë objektiv Kupën dhe këtu nuk është fjala thjesht për trofeun, por se nëpërmjet tij arrihet pjesëmarrja në Conference League sezonin e ri. Prandaj dhe drejtuesit janë të fokusuar në Kupë. Pas shortit të djeshëm ka reaguar Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, i cili tha për mediat se nuk kishin pasur preferencë për kundërshtarin e kësaj sfide, ndërsa shtoi se trofeu është qëllimi kryesor i “Demave” tashmë. Rama theksoi ndër të tjera se grupi është duke u rritur dhe është gati për të konkurruar në kupat e Europës. “Isha i qetë në short, nuk kisha preferenca. Të 3 ekipet ishin të forta, është bukur të luash me Vllazninë pasi bëhet atmosferë e bukur. Kupa është objektivi ynë, është një trofe që jemi në garë. Do të luajmë me seriozitet pasi duam të shkojmë në Kupat e Europës. Me golin në fushë kundërshtare që nuk është më, nuk kishte ndonjë preferencë. Grupi ynë është shumë i mirë si brenda fushe dhe jashtë. Po rritemi dhe po shprehemi më mirë në fushë. Edhe në dy fazat e para luajtëm mirë, por kishim disa dobësi. Me përforcimet e bëra jemi më mirë. Njeriu e bën vet fatin e tij dhe varet sa përgatitesh për të bërë mirë”, tha pas hedhjes së shortit Olsi Rama.
Rrapaj: Europa më e lehtë nga Kupa
Partizani po kalon një moment të mirë, ky është fakt. Jo vetëm drejtori Rama, por këtë e konfirmon edhe futbollisti Arinaldo Rrapaj, i cili në prag të duelit të radhës në kampionat ndaj Egnatias e quan fitoren e Partizanit një detyrim. “Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, krijuam raste, por derbi është derbi, kështu që jemi të kënaqur edhe me një pikë. Në çdo ndeshje futemi në fushë për të marrë tre pikët, do stërvitemi fort për fituar. Do e studiojmë kundërshtarin, do e sulmojmë te pikët e dobëta”, tha ai. Më tej ai komentoi shortin e Kupës së Shqipërisë, ku shtoi se nga Kupa Europa arrihet më lehtë për të kuqtë. “Çdo kundërshtar është i njëjtë, të tre ekipet janë shumë të forta. Goli jashtë fushe nuk vlen më, kështu që shpresoj të marrim rezultat pozitiv në ndeshjen e parë ndaj Vllaznisë. Mendoj se Europa është pak më e vështirë nga kampionati. Dy ndeshje janë në Kupë, do e kemi më të lehtë nga Kupa”, nënvizoi më tej Rrapaj.



































