“Pak Pakt” është një komedi e zezë, që trajton një problematikë të shoqërisë sonë. Teatri Kombëtar Eksperimental bën me dije se për publikun do të jenë 4 shfaqjet e fundit. “10, 11, 12, 13 mars ora 19:00”, shkruan teatri. Shkruar dhe me regji nga Ledian Gjeçi, vepra teatrore “Pak Pakt” erdhi premierë absolute për publikun në muajin shkurt. Vepra është fituese e çmimit të parë në zhanrin dramaturgji nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për vitin 2021. Regjisori Ledian Gjeçi rolet në vepër ia ka besuar aktorëve të njohur por dhe të rinjve. Në role janë Ermir Hoxha, Xhuliano Brisku, Mehmet Xhelili, Ledjon Zoi, Erjon Hinaj, Gëzim Rudi, Alba Shtëmbari dhe Margent Caushi. Regjisori Ledian Gjeçi bën me dije se kjo vepër teatrore është shkruar dy vite më parë. Sipas tij si autor, në këtë vepër trajtohet një problematikë e shoqërisë sonë. Vepra bën fjalë për dy djem shqiptar të shkolluar mirë, por thellësisht të varfër e të mbytur në borxhe, të cilët i kap policia në flagrancë duke tentuar të ikin jashtë shtetit në mënyrë ilegale. Shpresa e tyre e vetme për një jetë më të mirë shkatërrohet totalisht. Por, vjen dikush dhe iu ofron djemve një pakt me të cilin ata mund të dalin nga burgu dhe mund të përfitojnë dokumente në çdo shtet europian, vetëm nëse deklarojnë publikisht sikur janë homoseksual…Sipas institucionit të teatrit gjatë ndërtimit të veprës është punuar me kujdes, që të mos cënohet asnjë grupim racor, gjinor apo orientim seksual. “Por sigurisht, duke ruajtur ekuilibrin e konfliktit që lyp dramaturgjia me palët pro dhe kundër”, thuhet për shfaqjen. Me autor dhe regjisor Ledian Gjeçin, kostumografe në shfaqje Sofi Kara, skenograf Beqo Nanaj dhe kompozitor Jetmir Mehmeti. Veprat e autorit Ledian Gjeçi janë vënë edhe në skena të qyteteve të tjera. Përmendim veprën në vitin 2017 me titull “Në dorë të fatit”.









































