Java e 24-t e Kategorisë Superiore u mbyll pikërisht dje me ndeshjen e luajtur në Korçë midis Skënderbeut dhe Dinamos, takim që u mbyll me fitoren minimale 1-0 të “nëndetëses” dinamovite, një fitore që i largon ata për momentin nga fundi dhe i pozicionon disi më mirë në grupin e fundtabelës, me shpresë për të qenë sa më larg rrezikut. Ndërkohë, Skënderbeu e humbi ndeshjen e tij, një ndeshje “jete”, pasi Dinamo ishte rival direkt dhe me këtë humbje korçarët rrezikojnë shumë rënien nga kategoria. Pozitat e trajnerit janë komprometuar dhe Memelli mund të largohet nga drejtimi. Gjithsesi, mbetet të shihet deri në fund gara, pasi janë edhe 12 javë në lojë dhe kur në garë janë dhe 36 pikë, atëherë gjithçka mund të ndodhë.
Ecuria e ndeshjes
Blutë e kryeqytetit morën tre pikë të vlefshme pas fitores minimale 1-0 ndaj korçarëve, megjithatë kanë dominuar dhe diktuar ritmin e kësaj sfide. Goli i vetëm dhe i fitores për “blutë” e kryeqytetit u realizua në minutën e dytë nga Redon Mihana, i cili i dha sigurinë ekipit të tij. Pjesa e parë e këtij takimi u dominua nga Dinamo, ndërsa në fraksionin e dytë Skënderbeu “ndryshoi” fytyrë, por nuk ia doli të merrte barazimin. Në minutën e 75-të Pusi pati një super mundësi për të marrë gol, por Mensah ishte në pozicion të parregullt. Ndërsa edhe në këtë takim në stadiumin Skënderbeu ka pasur skena dhune, me tifozët që qëlluan arbitrin anësor, ngjarje e përsëritur kjo. Pas kësaj sfide Dinamo renditet në vend të tetë me 23 pikë, teksa Skënderbeu vijon të qëndrojë i fundit me 17 pikë të grumbulluara në 24 ndeshje dhe në të njëjtën kohë shkon në 12 ndeshje pa fitore.
Memelli: Po mendoj dorëheqjen
Kur skuadra humbet, i pari që e vuan presionin dhe që pret masën e madhe negative të energjisë që çlirohet është trajneri. Kuptohet, kreu i pankinës është i rrezikuar sa herë që një skuadër nuk arrin rezultatet e dëshiruara, për më tepër kur ekipi ndodhet në vend të fundit dhe pothuaj i pashpresë për të mbijetuar në elitë. Pas disfatës ndaj Dinamos, trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli ka paralajmëruar dorëheqjen nga posti i trajnerit të Skënderbeut. Duke folur për emisionin “Gol pas Goli”, tekniku theksoi se situata te skuadra e Korçës është shumë e vështirë ndaj, për këtë arsye theksoi se është i gatshëm të largohet. “Situata nuk është aspak e mirë, çdokush e kupton që po vuajmë. Kishim punuar në mbrojtje dhe ajo që më vjen më shumë keq është jo që humbëm, por që e pësuam aty ku kishim punuar më shumë. Megjithatë e dimë që nga fillimi i sezonit skuadra nuk ka qenë e plotë ashtu si sot dhe dihet që për sa kohë trajneri se ka skuadrën e plotë gjërat vështirësohen. Po theksoj se unë jam një njeri nuk bëhet barrë për askënd, do bisedoj me Presidentin që t’i hapim rrugë dikujt tjetër, pasi edhe lojtarët janë të ngarkuar dhe me këtë këndvështrim dua ta mbyll këtë deklaratë dhe do të vendoset në 24 orët në vazhdim”, theksoi Memelli.









































