Lojtarët e Kombëtares janë rritur shumë në nivel gjatë dy viteve të fundit, ku ka shumë të rinj që po lënë gjurmë me ekipet cilësore të kontinentit, sikurse është dhe rasti i fundit, ai i Armando Brojës, që po shkëlqen me skuadrën e Sauthemptonit në Premier League angleze. Por padyshim, lojtari që ka mbajtur një ritëm shumë të lartë gjatë viteve të fundit është Berat Gjimshiti, mbrojtësi shtatlartë e i fuqishëm i përfaqësueses kuqezi. Gjimshiti është pjesë e Atalantës prej shumë vitesh dhe në kaq kohë ai jo vetëm ka qenë titullar dhe lojtar i rëndësishëm i formacionit të skuadrës së Atalantës, por njëherësh protagonist në shumë ndeshje e fitore të ekipit bergamask. Madje Gjimshiti ka mundur të luajë vitet e fundit deri në nivelin e 1/8 të finales e deri në çerekfinale të Ligës së Kampioneve. Kjo performancë cilësore e tij ka nxitur fantazinë e shumë klubeve në Itali dhe më gjerë që ta kenë në ekipet e tyre, madje kontaktet kanë kohë që kanë nisur, por futbollisti nuk ka mundur të pranojë sepse është në kontratë me klubin bergamask. Por dje mediat italiane shkruanin se shqiptarin e pret një destinacion i ri sezonin tjetër, duke aluduar madje për një shitje në kufijtë ekstremë të Atalantës për të mos e humbur futbollistin me parametër zero.
Situata e Gjimshitit
Mbrojtësi i Kombëtares është lojtar me të dhëna në top-mbrojtësit europianë të momentit. Pra kuqeziu Berat Gjimshiti është rritur shumë në këto sezone me Atalantën ndërsa është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm për bergamaskët e trajnerit Xhian Piero Gasperini. Deri në këtë pikë të sezonit, mbrojtësi i kombëtares ka grumbulluar 21 paraqitje me Atalantën teksa e gjithë ecuria e tij nuk ka kaluar pa u vënë re nga Inter. Klubi zikaltër pritet të kryej një revolucion në repartin e mbrojtjes sezonin e ardhshëm pasi në listë për t’u larguar janë Ranoçia, Kolarov dhe D’Ambrosio, pa harruar edhe De Vrij për të cilin ka interes nga Premier League dhe me një ofertë të kënaqshme ekonomike, mund të lihet i lirë nga zikaltrit. Kështu, përveç Bremer nga Torino, sipas mediave italiane Inter po mendon edhe për Gjimshitin, kontrata e të cilit me Atalantën skadon pas një viti. Aktualisht, bergamaskët e vlerësojnë me 15 milionë euro kartonin e Gjimshitit, por mund të ulin pretendimet për të mos e humbur 29-vjeçarin shqiptar me parametra zero. Sakaq, një tjetër plus për lojtarin kuqezi është edhe sistemi me tre mbrojtës që përdor Inter, me Gjimshitin që tashmë është bërë ekspert i këtij rreshtimi pasi prej kohësh Atalanta luan me tre në prapavijë. Megjithatë, mbetet për t’u parë si do të zhvillohet ky skenar pasi ende nuk ka lëvizje konkrete nga palët e përfshira.
Kombëtarja
Gjimshiti është pjesë e kuqezinjve që nga viti 2015, por ai nuk mundi të marrë ftesë në finalet e Europianit të Francës në vitin 2016, pasi de Biazi e la jashtë në momentin final bashkë me Shalën dhe Rashicën. E megjithatë, ai qëndroi dhe e fitoi vendin e titullarit e prej disa vitesh po jep kontributin e tij për ngjyrat kuqezi, duke qenë lojtar bazë i formacionit të Kombëtares e një nga pikat e rëndësishme të prapavijës së skuadrës së trajnerit Edi Reja.









































