Ekspozita “Të dashurit e mi” prezanton për publikun një cikël me skulptura, që janë realizuar gjatë kohës së pandemisë. Ekspozita me punime të skulptorit të njohur Vladimir Llakaj u hap të hënën në galerinë e artit FAB pranë Universitetit të Arteve. Pedagog i arteve, skulptori Vladimir Llakaj shprehet se ekspozita e tij personale në skulpturë vjen me tematikën portreti familjar. Skulptori thotë se gjatë pandemisë efekti i vetëm pozitiv ishte qëndrimi më gjatë me familjen, dhe si shumë autorë të ndryshëm në kohë të ndryshme, ishte edhe frymëzimi për të punuar mbi këtë temë. ““My loved ones” ose “Të dashurit e mi” është një tematikë, që lindi në kohën e pandemisë, e cila të vetmen gjë të mirë që na mësoi ishte të donim më shumë familjen e të rrinim më shumë më të dhe njëkohësisht na mësoi të ishim më koherent me vetveten dhe me të tjerët. Leksioni ishte i thjeshtë, por kuptimplotë. Koha është gjëja më e shtrenjtë, e cila nuk duhet kaluar në një kaos ku ndjenja nuk ka bosht dhe kuptim”, shprehet skulptori. Ekspozita “My loved ones” ose “Të dashurit e mi” sipas skulptorit Vladimir Llakaj do të qëndrojë për tetë ditë në galerinë e artit FAB. Skulptori tregon se punimet në skulpturë janë dimensione natyrale të vogla. “Portreti është gati natyral kurse kompozimet janë të vogla, me dimensione 40 -50 centimetra. Në ekspozitë janë rreth 17 punime. Gjatë pandemisë që ishte dhe koha e kufizimeve më dha dorë të punoja, por nuk u mora më me tema jashtë familjes, me tema sociale të mëdha. U mora me një gjë më intime”, tregon skulptori Vladimir Llakaj.
Aktiviteti i skulptorit
Pedagog për skulpturën në Universitetin e Arteve, skulptori Vladimir Llakaj ka një aktivitet të vlerësuar me veprat e tij ndër vite. Por ai tregon se ekspozita që u hap të hënën në mjediset e galerisë FAB është e treta personale gjatë këtyre viteve. “Ekspozita e fundit personale ka qenë pak para pandemisë. Kjo tani në galerinë FAB është ekspozita ime e tretë personale brenda disa viteve”, thotë ai. Mungesa e galerive ndjehet në Tiranë, por skulptorit Vladimir Llakaj thotë se galeria FAB ka kushtet për artistët që të ekspozojnë veprat e tyre. “Duhet një galeri që e njeh, dhe ne aty kemi kushtet më të kollajshme për të ekspozuar”, thotë ai. “My loved ones” ose “Të dashurit e mi” është ekspozita e parë për këtë vit, që skulptori Vladimir Llakaj prezantohet me punët e tij para publikut. Por artisti tregon se do të vijojë me të tjera projekte gjatë vitit. “Unë do të vijoj aktivitetin me ekspozita kolektive, por kam dhe projekte të tjera më vonë me skulpturën”, tregon mes të tjerave skulptori. Artisti Vladimir Llakaj është pjesëmarrës i shumë konkurseve kombëtare e ndërkombëtare, ku ka fituar çmime të ndryshme në pikturë dhe skulpturë. Ka realizuar vepra, të cilat janë mirëpritur nga artdashësit dhe vlerësuar nga kritika. Edhe gjatë kohës së qëndrimit në Itali, ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare pikture e skulpture me autorë italianë e të huaj.






































