Partia Demokratike ka paditur këtë fundjavë në SPAK sekretarin e Përgjithshëm të PS Damian Gjiknurin për çështjen e inceneratorëve. Ishte deputeti i PD Lefter Gështenja, i cili tha se procedura e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit nuk ka bazë ligjore dhe një ndër ministrat përgjegjës për këtë është edhe Gjiknuri. Ai tha, se qeveria ka kontrolluar të gjithë procesin e incenerimit të mbetjeve.“Gjithçka është një qark i mbyllur dhe afera e inceneratorëve rrethohet nga të njëjtët emra, të cilët, nën mbështetjen e plotë të institucioneve qeveritare, kanë kontrolluar dhe kontrollojnë të gjithë procesin multi-milionësh të incenerimit të mbetjeve në Shqipëri. Të gjithë jemi në dijeni qëqeveria shqiptare, gjatë periudhës 2014-2017, ka nënshkruar tre kontrata koncensionare për ndërtimin e inceneratorëve të mbetjeve, për të cilat shteti pritet të paguajë, në mënyrë periodike nga fillimi i koncensioneve më shumë se 430 milionë euro në vitet e ardhshme për kompanitë koncensionare, sqaroj se rreth 90 milion euro tashmë janë paguar nga shteti. Një pjesë e kësaj pagese është paguar nga qeveria shqiptare, përkatësisht për inceneratorin e Elbasanit që ka marrë nga buxheti i shtetit 24.7 mln euro dhe inceneratorin e Fierit me vlerë 30.6 mln euro. Ndërkohë që për inceneratorin e Tiranës deri më tani janë paguar 35 mln euro nga buxheti i shtetit përmes Bashkisë Tiranë”, tha ai. Deputeti Gështenja, tha se procedura e Koncesionit të inceneratorit të Elbasanit nuk ka bazë ligjore. Sipas tij, një ndër ministrat përgjegjës për këtë është edhe Damian Gjiknuri.”Në cilësinë e ministrit të Energjitikës, z.Gjiknuri është angazhuar që të caktonte dhe një anëtar në Komisionin e Koncesioneve duke qenë në dijeni të plotë të procedurave, rrugës së ndjekur dhe padyshim shkeljes së ligjit. Procesverbalet nga mbledhja e Komisionit të Koncesioneve janë fakte që tregojnë se rruga e ndjekur nga qeveria Rama dhe posaçërisht nga ministritë e përfshira në këtë procedurë ka qenë abusive dhe e paligjshme”,tha ai.






































