Fundjava që lamë pas ishte përgjithësisht e mirë për lojtarët e përfaqësueses tonë, ku një pjesë e futbollistëve treguan vlera dhe dëshmuan se janë të denjë për fanellën dhe ekipin ku aktivizohen, por në këtë javë pati dhe lojtarë me probleme, sikurse ishin Bekim Balaj dhe Odise Roshi që morën kartonë të kuq në ndeshjen e zakonshme të ligës së parë turke me skuadrën e tyre Boluspor. Kurse lojtarët e tjerë patën përgjithësisht arritje, sidomos portieri Etrit Berisha që luajti titullar për herë të parë këtë sezon me Torinon, apo dhe forma fantastike e Marash Kumbullës tek Roma.
Balaj e Roshi “skuqen” në Turqi, kartonët pas dy të verdhëve
Në Turqi këtë edicion luan një kontigjent relativisht i madh futbollistësh shqiptarë, qoftë në Superligë ashtu dhe në ligën e pare (divizioni 2). Dje dy lojtarë veteranë të përfaqësueses u bënë protagonist negativë për ekipin e tyre, pasi morën kartonë të kuq njëri pas tjetrit. E pranojnë dhe mediumet sportive që ishte një fundjavë për t’u harruar për Bekim Balajn dhe Odise Roshin. Dy lojtarët e kombëtares janë pjesë e Boluspor në divizionin e dytë të futbollit turk, ekip ku luan edhe Dejvi Bregu (në stol ditën e djeshme) e Gentian Selmani (i dëmtuar). 1-1 përfundoi ndeshja Boluspor-Bursaspor. Afrikani Kasongo kaloi vendasit në avantazh në fundin e pjesës së parë pas një asisti të marrë nga Balaj. Sulmuesi shkodran u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 35-të. Balaj mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 54-t, duke lënë ekipin e tij me dhjetë lojtarë. Bursaspor përfitoi nga superioriteti numerik dhe gjeti golin e barazimit katër minuta më vonë. Në minutën e 66-të u ndëshkua edhe Roshi me të kuq. Anësori i djathtë mori dy kartonë të verdhë brenda një minute, për faull dhe protestë kundër arbitrit. Boluspor mbeti me 9 lojtarë, por në fund ia doli të evitojë humbjen edhe pse me dy lojtarë më pak.
Kumbulla më i miri i Romës, merr notë të lartë
Ndër të gjithë lojtarët e Kombëtares së trajnerit Edi Reja, duhet evidentuar fakti se ata që luajnë në Itali kanë marrë vëmendjen kryesore, pasi përbëjnë grupin bërthamë të formacionit bazë dhe prandaj edhe trajneri Reja i ka në konsideratë të veçantë këtë kontigjent lojtarësh. Ndërkohë, mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, Marash Kumbulla, dha një performancë fantastike përballë Atalantës, i cili, së bashku me shokët e tij, nuk lejuan që asnjë top të depërtonte përmes portës së mbrojtur nga Patrisio. 22-vjeçari luajti për plot 90 minuta dhe sipas portalit të famshëm “Sofa Score”, është renditur me notën 7.5. Në lidhje me statistikat individuale në shërbim të skuadrës, Kumbulla kreu 5 ndërhyrje të sakta dhe fitoi 8 duele nga 14. Gjithashtu, ai dha dhe 28 pasa të sakta nga 31. Kumbulla është në formë dhe kjo i vlen edhe Kombëtares.
Berisha luan titullar në barazimin e Bolonjës
Bolonja dhe Torino kanë ndarë pikët duke e mbyllur në barazim përplasjen mes tyre, 0-0, të luajtur ditën e djeshme. Te Torino nga minuta e parë ishin Etrit Berisha dhe Mërgim Vojvoda. Të dyja skuadrat kishin mundësi shënimi, por nuk arritën t’i konkretizonin. Torino pas 27 ndeshjeve në Serie A renditet në vendin e 11-të me 34 pikë. Bolonja ka 33 pikë dhe është në vendin e 12-të.






































