Google search engine
Home Aktualitet Komedia “Vdis duke qeshur” në skenën teatrore, me mesazhin se jeta duhet...

Komedia “Vdis duke qeshur” në skenën teatrore, me mesazhin se jeta duhet jetuar sikur çdo ditë e saj të ishte e fundit

0
382

Jeta duhet jetuar sikur çdo ditë e saj të ishte e fundit. Me këtë mesazh vjen mbrëmjen e së dielës komedia “Vdis duke qeshur”, në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina”. Vepra e autorit Paul Elliott me regji nga Ilir Bokshi bën bashkë aktoret e njohura si Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku, ku në role janë dhe Silvio Goskova e Paola Kodra. Teatri i Korçës “Andon Zako Çajupi” prezantohet me këtë komedi në festivalin “FemFest”, që nis sot edicionin e parë në Tiranë. Një komedi plot me situata dhe batuta befasuese, humor të bukur dhe atmosferë të gëzuar. Në komedinë “Vdis duke qeshur” vepër e autorit Paul Elliot me regji nga Ilir Bokshi, ngjarja zhvillohet në një natë të vetme, kur 3 mikesha të ngushta prej një jete, përcjellin për në botën tjetër të katërtën e tyre, e cila kishte ndërruar jetë. Një urnë ku ndodhej hiri i Merit, u bë bashkëbiseduesja e grave gjatë gjithë natës, me humor gjë që mund të duket absurde, por është gjithmonë sfiduesi i vdekjes. Përmes lojës së aktoreve, komedia përcjell mesazhin se jeta duhet jetuar sikur çdo ditë e saj të ishte e fundit, dhe ky është amaneti që Meri iu kishte lënë shoqeve të saj. Role që vijnë nga aktoret Luiza Xhuvani, Olta Daku dhe Zamira Kita. Vepra është përkthyer nga Shkëlzen Berisha, koreografia Robert Nuha dhe skenografia e këtij projekti është nga Beqo Nanaj. Regjisori Ilir Bokshi ka realizuar projekte të ndryshme teatrore në skenat shqiptare me vepra si “Togeri i Inishmorit”, “Menaxheria e qelqtë”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Edipi Mbret”, “Ferma e kafshëve”, etj.

Komedia mes shfaqjeve në “FemFest”

Komedia që është në natën e dytë të festivalit “FemFest” që nis sot në Tiranë është mes shfaqjeve të tjera teatrore, që janë pjesë e aktiviteteve. Festivali vijon deri më datë 8 mars në Tiranë. Vepra teatrore ka bërë bashkë aktore të njohura të teatrit të Korçës, por dhe të rinj. Komedia “Vdis duke qeshur” ishte më parë edhe në festivalin e teatrove “Othello”, në Maqedoninë e Veriut. Me këtë vepër aktorja Luiza Xhuvani erdhi për herë të parë në një bashkëpunim me teatrin e Korçës. Ajo interpreton një nga rolet kryesore në komedinë “Vdis duke qeshur”. E jashtëzakonshme si gjithmonë ajo sjell një karakter shumë të bukur dhe të realizuar. Olta Daku aktorja e njohur e humorit dhe jo vetëm është gjithashtu pjesë e komedisë “Vdis duke qeshur”. Fituese e shumë çmimeve në festivale të ndryshme të teatrit dhe filmit si brenda edhe jashtë vendit, këtë herë publiku e gjen me rol në “Vdis duke qeshur”. Zamira Kita, një prej aktoreve më të mira të komedisë vjen me rolin e Leonës, një karakter shumë i bukur. Silvio Goskova, një nga aktorët e rinj të teatrit luan një karakter të bukur dhe të spikatur. Paola Kodra, një aktore e re por e suksesshme e teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë interpreton rolin e Rejçell, një vajzë plot ëndrra dhe pasione, por që ndesh pabesi e surpriza.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here