“Tre dimra” vepër e autores Tena Stiviçiç me regji nga Rozi Kostani u mirëprit në skenën teatrore për publikun. Në teatrin Metropol, “Tre dimra” ndjek fatet e katër brezave të grave të një familjeje gjatë një shekulli të trazuar. Është një vepër, e cila hedh dritë mbi problemet në shoqërinë moderne, duke vëzhguar gjendjen e botës nga këndvështrimi i grave. Vepra ishte në skenë për publikun disa mbrëmje, ndërsa teatri bën me dije se vijon dhe në 4 e 5 mars. Me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të aktorëve: Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Marjeta Ljarja, Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Elia Zaharia, Armela Demaj, Sonila Kapidani, Xhino Musollari, Klea Konomi, Kastriot Ramollari, Klesta Shero, Ketjona Pecnikaj, Ina Morinaj, Amri Hasanlliu dhe Lindar Kaja. Trupa e ansamblit “Tirana” si dhe disa studentë të Universitetit të Arteve si Ergi Hasani, Serxhjo Danga, Enxhi Balla, Edison Kajdomqaj, Griselda Prendaj, Romeo Bushati, Antonela Çina dhe Ardien Gjabri. Muzika Genti Rushi, mjeshtër vokali Suzana Turku, skenograf Stjuart Reçi dhe kostumograf Frenci Gjerasi. Ngjarjet e veprës zhvillohen në një vilë të ndërtuar në vitin1898 në Zagreb të Kroacisë. Ky udhëtim në kohë ndodh gjatë 75 viteve, ku ngjarjet fokusohen në tre dimra, në tre pika të ndryshme të zhvillimit të vendit, në vitin 1945 gjatë krijimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në vitin 1990 te shpërbërja e saj, e më pas deri në 2011 kur Kroacia e pavarur, aspiron e negocion për t’u bashkuar me BE-në. Ndërkohë që fokusi i shfaqjes është vetëm një shtëpi dhe një familje, në atë shtëpi është shkruar e gjithë historia e fundit e Kroacisë dhe bashkë me të forcat kryesore politike dhe ndryshimet ideologjike që kanë formësuar Evropën moderne.
MHK: Kundërshtimi i Traktatit të Paqes, merr hov lëvizja kombëtare
Më 3 mars të vitit 1878 u nënshkrua traktati i paqes së Shën-Stefanit, i cili i dha fund luftës ruso-turke që pat shpërthyer më 24 prill 1877. Pas luftimeve të ashpra, që zgjatën për pothuajse një vit, trupat ruse arritën në fshatin Shën Stefan, rreth 17 km në afërsi të Stambollit. Muzeu Historik Kombëtar shkruan se sipas këtij traktati, brenda kufijve të Malit të Zi hynin vise të banuara prej shqiptarëve, duke përfshirë Ulqinin, Tivarin, pjesën e sipërme të bregut të lumit të Bunës, gati krejt liqenin e Shkodrës, Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë. “Territoret e Bullgarisë zgjeroheshin deri në brigjet e liqenit të Ohrit. Greqia nuk arriti të përfitonte asgjë. Kundërshtimi i vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit shënon një nga momentet ku filloi të merrte hov lëvizja kombëtare shqiptare”, thuhet nga Muzeu Historik Kombëtar.









































