“Reflection” titullohet ekspozita që sjell punimet e piktores Denisa Paho. Ekspozita personale e saj u hap në galerinë e artit “Kalo” në Tiranë. Gjithçka nis si vëzhgim i detajuar i përditshmërisë e jetuar çdo ditë. Artistja vëzhgon lëvizjet, pasqyrimet, reflektimet, imazhet që fshihen pas xhamit, rrjetës, pasqyrës si formë meditimi. Imazhe që janë as të dukshme dhe as të padukshme, por thjesht tregojnë një gjendje. Ekspozita u hap para disa ditësh dhe prezantimi i saj u bë nga pedagogu i arteve prof. asc. Ardian Isufi. Ai shprehet se ishte kënaqësi të prezantonte artisten Denisa Paho, në krijimtarinë e saj. “Me një qasje unike ndërmjet intimes dhe publikes, ku gjithmonë në veprat e saj gjendet një element “ambigue”, i një muri-kufi të tejdukshëm duke e bërë ndasinë sa të brishtë, por njëkohësisht edhe të ashpër”, thotë prof.asc. Isufi. Punime të ndryshme janë prezantuar në galerinë e artit “Kalo” në Tiranë, por piktorja Denisa Paho thotë se për atë jeta e gjithsecilit është burim frymëzimi për një artist. “Gjithçka nis në mënyrë të natyrshme duke vëzhguar përditshmërinë, mundohem të përzgjedh pjesë që më krijojnë një lloj perceptimi dhe ndjeshmërie të veçantë. Këto copëza jete fotografohen duke fokusuar të gjitha elementët, që duhen për të realizuar punën. Më pas e hedh në telajo idenë, që kam konceptuar që në fillim nga fotografia. Pas përfundimit të një cikli punësh e mendova të arsyeshme për të hapur një ekspozitë personale”, thotë ajo. Piktorja Denisa Paho shprehet se pas një përzgjedhje të punëve u vendos bashkë me galerinë “Kalo” të ekspozonin 26 vepra në pikturë. “Ato shtrihen në një kohë relativisht të gjatë, që nga viti 2011. Cikli “For Rent” është realizuar gjatë kohës pas ekspozitës së parë personale të vitit 2010, më pas vijnë dhe ciklet e tjera në vazhdim”, tregon ajo.
Denisa Paho një nga artistet e talentuara në vendin tonë prezantohet këto ditë me ekspozitën e saj personale, por ajo tregon se “Reflection” është një pjesë e pandashme e punëve të saj. Piktorja Paho pohon se shumica e tyre janë imazhe të reflektuara mbi një panel transparent. “Në një pjesë të rasteve imazhet duken përtej këtij paneli transparent prej xhami, rrjete, plastike, etj. Koncepti qëndron sa tek ndarja po aq edhe bashkimi i hapësirave private me atë publike. Ndërthurja e këtyre hapësirave (private dhe publike) megjithëse në vetvete krijojnë diversitet, ato vijnë natyrshëm dhe zbuten gradualisht nëpërmjet këtyre paneleve transparente. Kjo krijon një lloj komunikimi pamor universal”, thotë piktorja Denisa Paho. Sa i takon aktivitetit të saj, piktorja Denisa Paho thotë se ashtu si çdo artist, mendon të arrijë nivele sa më të kënaqshme profesionale dhe të kontribuojë sadopak në artin bashkëkohor shqiptar. “Do mundohem të jap kontributin tim modest dhe të sjell për publikun vlera të shtuara”, shprehet ajo. Si piktore Denisa Paho thotë se shpreson të vazhdojë punën sistematike për të rritur nivelin artistik. Ajo shprehet se ka materiale të mjaftueshme për të nisur punën për një ekspozitë tjetër në të ardhmen. “Ndoshta më e pasuruar me komponentë dhe mediume të tjera artistike”, tregon Paho. Ekspozita “Reflection” do të vijojë dhe disa ditë të tjera të qëndrojë në galerinë “Kalo” për publikun.