“Interpretime të këngëve tona popullore nga klasike muzikore shqiptare” ishte aktiviteti, që u zhvillua në 80 – vjetorin e regjistrimeve të këngëve popullore shqiptare nga artistët Tefta Tashko Koço, Kristaq Koço dhe Kristaq Antoniu. Ky aktivitet erdhi si bashkëpunim i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, Universitetit të Arteve dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF). Në sallën “Tonin Harapi” në Universitetin e Arteve, artistë dhe profesorë të arteve vlerësuan kontributin e çiftit të artistëve Tefta Tashko dhe Kristaq Koço, si dhe të Kristaq Antoniut. Në vitin 1942 ata regjistruan disa dhjetëra këngë në studiot e kompanisë diskografike “Columbia”, këngë të cilat i ngritën në një nivel tjetër interpretimi e që dëgjohen edhe sot e kësaj dite. Në këtë aktivitet u përcollën imazhe të rralla filmike të të tre artistëve, u ekspozuan vlera të rralla të tyre, si dhe u fol për rëndësinë dhe vlerat e regjistrimeve popullore nga Zana Shuteriqi – Prela, Kastriot Tusha, Eno Koço, etj. Mes të tjerave në fjalën e tij tenori Kastriot Tusha u shpreh për rëndësinë e këtij aktiviteti, që solli në vëmendje kontributin e tre artistëve të njohur. “Ky aktivitet ka rëndësi të veçantë, sepse transmeton tek brezi jonë dhe sidomos në këto momente që të mbështeten tek këngët popullore siç janë mbështetur gjithë klasikët, ata që na kanë mësuar që unë i quaj brezi i artë”, u shpreh tenori Tusha.
Aktiviteti artistik
Çiftit i artistëve Tefta Tashko dhe Kristaq Koço kanë një veprimtari të vlerësuar. Tefta Tashko Koço njihet si këngëtare e shquar lirike, në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare. Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta janë edhe këngët popullore të përpunuara nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si përshembull “Kroi i fshatit tonë” apo “Kur më vjen burri nga stani”. Në këngët popullore të Tefta Tashkos, regjistruar pranë “Columbias”-Itali, 1942 përmendim: “Un’o ty moj të kam dashur”; “Kjo dashtnija kjoft mallkue”; “Kenke nur’ i bukurisë”; “Për një ditë, kur del goca në pazar”; “Këndon kumrija”; “Metelikun ta kam falë”; “Ma ven dorën përmbi dorë”, “Dallandyshe vaj, vaj”; “Qante lulja lulen”; “Moj fëllanxë”; “Sa me shpejt ma vunë, moj, kambën”; “Dy gisht përmni vetull”; “Moj hyrije, bukurie”; “Del një vashë prej hamamit”; “Zare trëndafile”, etj. Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Tefta Tashko u nda nga jeta në moshën 37-vjeçare. Kristaq Antoniu (1909 – 1979) këngëtar, tenor dhe bariton. Me origjinë nga Korça, ai lindi në Rumani, ku dhe përfundoi Akademinë Mimodramatike të Bukureshtit. Interpretoi rolet e para në disa filma kinematografie, ku dhe u bë i njohur. Si koncertist dhe këngëtar operetash, zhvilloi turne me një trupë nëpër Evropë. Në Shqipëri u kthye në vitin ‘35, ku dhe nisi një veprimtari të gjallë artistike. U shqua në interpretimin e arieve nga operat klasike dhe të këngëve popullore.






































