Shfaqja “Tre Dimra” me regji nga Rozi Kostani vë në optikën e kohërave figurën e gruas dhe zërin e saj. Vepra e autores kroate Tena Stiviçiç u shfaq për publikun në skenën teatrore të teatrit Metropol. Ngjarjet e veprës zhvillohen në një vilë të ndërtuar në vitin1898 në Zagreb të Kroacisë. Regjisorja Rozi Kostani thotë se tre periudha historike në këtë vepër teatrore janë të vëzhguara nëpërmjet rrugëtimit të një familjeje. “Tre periudhat historike të tranzicionit që ka kaluar apo vazhdojnë të jenë në proces popujt e rajonit tonë, si Shqipëria e Kroacia me një ngjashmëri të plotë me realitetet e tre periudhave: në 1945 me ardhjen në pushtet të komunistëve, në 1990 ardhja e një demokracie të brishtë dhe në 2011 prona akoma e pa zgjidhur dhe përpjekja për të hyrë në Europë. Këto periudha janë të vëzhguara nëpërmjet rrugëtimit të një familjeje në Zagreb të Kroacisë”, shprehet Kostani. Ky udhëtim në kohë ndodh gjatë 75 viteve, ku ngjarjet fokusohen në tre dimra, në tre pika të ndryshme të zhvillimit të vendit, në vitin 1945 gjatë krijimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në vitin 1990 te shpërbërja e saj, e më pas deri në 2011 kur Kroacia e pavarur, aspiron e negocion për t’u bashkuar me BE-në. Ndërkohë që fokusi i shfaqjes është vetëm një shtëpi dhe një familje, në atë shtëpi është shkruar e gjithë historia e fundit e Kroacisë dhe bashkë me të forcat kryesore politike dhe ndryshimet ideologjike që kanë formësuar Evropën moderne.
Në periudha historike me ngjarje vendimtare
Vepra teatrore ka në role një kast aktorësh të njohur dhe do të vijojë dhe në ditët e muajit mars në skenën teatrore. Regjisorja Rozi Kostani thotë se tre net të gjata dimri, në periudha historike me ngjarje vendimtare që ndryshojnë rrjedhën logjike të këtyre personazheve, katër breza grash me ngjarje personale, sekrete që mbeten për t’u zbuluar. “Mbrëmje-natë zhvillohen ngjarjet në tre vitet – stacione biografike. Zbulimi i rrënjëve të kësaj familjeje dhe sekretet e saj, na krijojnë këtë portret familjar të udhëhequr nga dashuria. Shfaqja ka gjuhë filmike si në mënyrën e rrëfimit të historisë po ashtu edhe në aksionin e skenave dhe diskursin e personazheve”, thotë mes të tjerave Kostani. Sipas regjisores Kostani, kjo vepër trajton historinë e një familje eklektike, të mbajtur së bashku nga guximi për të mbijetuar. “Nga mbetjet e monarkisë, përmes komunizmit, më pas demokracisë, luftës dhe pranimit eventual në një Evropë më të gjerë, katër breza të grave të Kos, secila më e pavarur se tjera, të cilat duhet të përshtaten për të mbijetuar. E vetmja konstante është shtëpia: e ndërtuar nga aristokratët, e ndarë, e nacionalizuar, ajo është dëshmitare e brezave që kalojnë”, shprehet regjisorja. Vepra është në skenë me pjesëmarrjen e aktorëve Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Marjeta Ljarja, Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Elia Zaharia, Armela Demaj, Sonila Kapidani, Xhino Musollari, Klea Konomi, Kastriot Ramollari, Klesta Shero, Ketjona Pecnikaj, Ina Morinaj, Amri Hasanlliu dhe Lindar Kaja. Trupa e ansamblit “Tirana” dhe disa studentë të Universitetit të Arteve. Muzika Genti Rushi, mjeshtër vokali Suzana Turku, skenograf Stjuart Reçi dhe kostumograf Frenci Gjerasi.









































