Skema kombëtare 2022 për blegtorinë është e pamjaftueshme dhe nuk arrin të subvencionojë koston e lartë të prodhimit të qumështit nga fermat.
Shoqata e Industrisë të Përpunimit të Qumështit vlerëson se situata e blegtorisë dhe fermerëve shqiptarë për prodhimin e qumështit, është në ditën më të vështirë të saj.
Industria e Përpunimit të Qumështit kërkon mbështetjen e qeverisë me skema subvencionuese për fermerët mbi bazën e prodhimit të qumështit , dhe jo për krerë kafshësh të limituara.
Skema kombëtare 2022 për blegtorinë parashikon subvencione për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1,200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360,000 lekë për subjekt, ndërsa për fermat me jo më pak se 10 krerë lopë, në vlerën 10, 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt.
Shoqata e Industrisë të Përpunuesve të Qumështit thekson se kjo masë është e pamjaftueshme nisur nga kostoja e lartë e prodhimit të qumështit në të cilën gjendet fermat shqiptare. Për përpunuesit e qumështit skemat e subvencionit duhet të jenë të orientuara mbi bazë prodhimi për litër qumësht, ashtu siç po zbatohen në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Nga 1 janari 2022 hyri në zbatim ndryshimi për heqjen e 6% TVSh-je të rimbursueshme. Masa u kundërshtua nga industria, pasi heqja e skemës rrit kostot e prodhimit.
Për të përballuar rritjen e kostove të prodhimit nga rritja e çmimit të qumështit dhe lëndëve të tjera, Shoqata e Industrisë të Përpunuesve kërkon reduktimin e TVSh-në në shitje 6% ose kthimin e TVSH-së të rimbursueshme në masën 20% pasi këto ndryshime fiskale nuk do të lejonin rritjen e çmimeve për konsumatorin, si dhe produktet shqiptare do të ishin të konkurrueshme me produktet e rajonit.
Shoqata kërkon subvencionim në nivelin që rajoni jep për fermerët e vet të prodhimit të qumështit. Konkretisht kërkohet normë e reduktuar TVSH në shitje për sektorin e përpunimit të qumështit në 6% si e ka aktualisht edhe vendet e rajonit dhe vlerësimi i efekteve afatmesme nga ulja e normës së TVSH për industrinë e qumështit dhe luftën kundër informalitetit.
Sipas shoqatës sektorët që do të mbështeten nga fondi i programit për bujqësinë e zhvillimin rural, për vitin 2022, të përfshihen patjetër skemat e subvencionimit si më poshtë vijon:
1. Mbështetje direkte 10 lekë për litër qumësht PA LIMIT të dorëzuar në pika të licencuara grumbullimi ose përpunimi.
2. Mbështetje direkte 10,000 lekë për çdo krerë lopë PA LIMIT të numrit të krerëve.
3. Mbështetje direkte 2,500 lekë për çdo krerë dele/dhi PA LIMIT të numrit të krerëve.
4. Mbështetje direkte 4,500 lekë për krerë lopë PA LIMIT nëse e dërgon në thertore të licencuar.
5. Mbështetje direkte 800 lekë për krerë dele/dhi PA LIMIT nëse e dërgon në thertore të licencuar.
6. Mbështetje direkte 20,000 lekë /ha PA LIMIT për tokë të mbjella me misër, grurë etj (plus 10 000 lekë nëse përdoret farë e certifikuar).
Shoqata vlerëson se situata është shumë e vështire dhe çdo vonesë në reagim do të sillte pasoja të pakthyeshme për fermerët dhe blegtorët shqiptarë, të cilët përditë po i largohen prodhimit, duke shkuar drejt rrënimit të sigurt dhe falimentit të mëtejshëm.









































