Futbolli shqiptar ka njohur disa hapa pozitivë në aspektin e menaxhimit, infrastrukturës, por edhe rezultateve, dëshmuar me pjesëmarrjen e skuadrave tona në Europë dhe rezultatet e pranueshme të disa ekipeve edhe në turet eliminatore të kompeticioneve të UEFA-s. Ky kampionat i Superligës po dhuron surpriza, por edhe të papritura për disa ekipe, ku emrat e mëdhenj si Dinamo e Partizani nuk janë në lartësinë e kërkuar, ndërsa Laçi e Vllaznia dhurojnë lojë të bukur e tërheqëse, pa harruar Tiranën që këtë edicion e ka seriozisht ambicien për titull dhe ecuria e deritanishme është bindëse. Por ka natyrisht edhe probleme, e duket se zhvillimet socio-ekonomike kanë hyrë rëndë edhe në futboll, gjë që duket në stadiumet e boshatisura dhe problemet e tjera që kanë të bëjnë me investimin tek moshat. Duke folur për këto zhvillime, ish-dinamoviti Saimir Dauti, njohur me nofkën sportive “Sallakja”, bën një analizë të kujdesshme të cilësive të edicionit aktual, duke qenë optimist për disa të dhëna që kanë pasur progres. Në këtë intervistë ai jep edhe disa të dhëna si specialist në lidhje me treguesit e rinj cilësorë të shfaqur në kampionatin e sivjetëm.
– Dueli mes Tiranës dhe Laçit, u mbyll me fitoren e bardhebluve, të cilët me këtë sukses hedhin një hap përpara. Natyrisht, është herët për të folur për titullin, pasi ka edhe shumë javë deri në fund, por një fitore në ndeshje direkte vlen shumë. Cili është mendimi juaj për garën deri tani dhe pritshmëritë e saj?
Ka ende garë, lufta e hapur, por unë desha të flas për kampionatin në tërësi këtë sezon, i cili, në pikëpamjen time, është më cilësor se të tjerët e viteve të fundit. Ku e bazoj këtë që them? Unë e shoh në disa aspekte ku dua të veçoj: Loja në krahë, e cila ka avancuar dukshëm si skemë dhe lojtarët nuk mblidhen më të gjithë në zonë. Kjo lloj skeme loje është mjaft efikase dhe evidente krahasuar me lojën në sezonet e mëparshme. Së dyti e shoh tek goditjet në portë. Ky është element i rëndësishëm në lojën e futbollit dhe unë konstatoj se në këtë kampionat është bërë progres dhe mua më ka lënë përshtypje pozitive. Një aspekt tjetër ka të bëjë me qarkullimin e topit ose kontrollin e topit, një tregues që ka njohur përmirësim të dukshëm. Kjo sjell etapa më cilësore në zhvillimin e lojës dhe e bën atë të ketë ritëm. Krahasuar me sezonet e shkuara, kur topi pas 2-3 pasimesh dilte jashtë vijave, këtë herë ka një rritje graduale dhe cilësore të fenomenit. Dalja e topit jashtë bënte që të binte ritmi dhe rrjedhimisht binte cilësia, por tani ky tregues i ka dhënë ritëm lojës dhe shoh që është bërë progres jo i vogël në këtë drejtim. Aspekti i katërt, që lidhet me të mëparshmin, është pasimi, i cili është një tregues shumë i rëndësishëm në lojën e futbollit dhe mua në këtë kampionat më ka lënë përshtypje pozitive. Më duhet të theksoj se ky progres është evidentuar si tek pasi i shkurtër, ai i mesëm dhe i gjatë ose ai i lartë siç e njohim. Këtyre elementëve dua t’u shtoj një aspekt tjetër, një të pestë, që ka të bëjë me driblimin, edhe ky një element shumë i domosdoshëm në futbollin e sotëm. Ekipet e huaja, ato cilësoret, e kanë të zhvilluar këtë aspekt, prandaj i zgjedhin elementët para se t’i blejnë. E kanë në skemën e tyre të manovrimit në lojë dhe unë kam parë që edhe klubet tona këtë vit e kishin rritur këtë aspekt të lojës. Duke i parë të gërshetuar dhe në total këta aspekte, në progres për të gjitha klubet, jam i mendimit se ky kampionat është më cilësor se të mëparshmit.
– Tirana e bëri një hap përpara pas fitores me Laçin. Kemi të drejtë ta themi që ajo ka hedhur një hap drejt titullit?
Tirana e udhëheq kampionatin me meritë, pra është në këtë pozicion sepse është skuadër më cilësore se të tjerat dhe është aty se e ka merituar me lojë e rezultate. Por unë dua të veçoj edhe Laçin, pavarësisht humbjes, që po bën një sezon fantastik. Të dyja skuadrat kanë elementë cilësorë, por pozicionimi i tyre në dy vendet e para nuk është vetëm meritë e lojtarëve, por edhe stafeve teknike e drejtuese të tyre. E këtu, më lejoni të shpreh dhe një tipar tjetër dallues që duhet marrë në konsideratë. Të dyja skuadrat që udhëheqin kampionatin kanë në krye të tyre trajnerë shqiptarë.
– Kjo nuk është domosdoshmëri për sukses….
Nuk është domosdoshmëri por është fakt ama që trajnerët shqiptarë janë të suksesshëm. Duhet të marrë fund praktika që i largojmë teknikët vendas pa një e pa dy, sipas ndjenjave dhe shijeve të momentit. Janë larguar trajnerë kot më kot, thjesht pas një humbjeje apo një periudhe jo të mirë. Teknikët shqiptarë janë të merituar, ata prodhojnë futboll modern. Për t’u kthyer në analizën e mësipërme, nga ekipet, dua të veçoj Laçin si një skuadër pararojë në kampionat, pasi për të disatin sezon radhazi mban nivel të lartë e të qëndrueshëm dhe për një qytet të vogël pa shumë traditë kjo është arritje e madhe dhe Laçi ka prodhuar futboll cilësor.
– Ju jeni dinamovit, me zemër, por situata e tanishme e Dinamos s’është premtuese. Ka zhgënjim në pritshmëritë e saj. Edhe Partizani, një emër i madh, s’është aty ku duhet. Si do ta përkufizonit ecurinë e tyre?
Unë kam folur dhe më parë për gazetën tuaj në një intervistë të mëparshme dhe e kam shprehur se Dinamo këtë sezon duhet të mendojë për t’u konsoliduar. Ajo s’mund të arrijë objektiva madhorë këtë edicion, prandaj mendoj se objektivi i saj duhet të jetë qëndrimi në kategori. Kam besim se do t’ia dalë, pasi kam parë dy ndeshjet e fundit të saj ku ka pasur progres në lojë e më ka lënë përshtypje pozitive. Sa i takon Partizanit, mund të them se pritej më shumë dhe nuk u falet këtyre dy klubeve, për emrin që kanë, të jenë në këtë gjendje.
– Ju keni luajtur vetë futboll, por edhe keni drejtuar si trajner. A i keni parë stadiumet kaq të boshatisura si tani?
Jo, asnjëherë, në kohën tonë stadiumet ishin plot, por kjo duhet lidhur me ekonominë dhe çështjet sociale. Në atë kohë në stadium shkonin të gjitha moshat, kryesisht 40-50 vjeç e deri në 70 vjeç, me sa duket sot ky fenomen është i lidhur me gjendjen ekomomike e sociale të vendit. Flamurin e mban Anglia, ku impiantet janë plot, pasi Anglia ka potencial ekonomik, por edhe klubet janë të fuqishme, por edhe niveli i kampionatit është shumë cilësor. Jo vetëm futbolli por i gjithë sporti është i varur sot nga ekonomia.
– Të flasim pak për zhvillimet më të fundit në FSHF, ku pritet të mbahen zgjedhjet për organet drejtuese e vëmendjen e ka presidenti. Nga një anë është sërish Duka, që kërkon një mandat të 6-të, e duket se nga ana tjetër ka një përplasje ku, për shkak se kundërshtar është kryebashkiaku Veliaj, merr ngjyra politike. Cili është këndvështrimi juaj për këtë çështje?
Gjatë këtyre viteve kemi pasur investim në infrastrukturë, janë ca arritje që nuk neglizhohen dhe që duhen evidentuar. Nuk kemi më impiante si para 25 vjetësh. Nën Dukën si president janë bërë përparime në infrastrukturë. Më parë as e mendonim dot një ndeshje me drita, e tani shumica e impianteve kryesore janë me ndriçim. Kemi mundur të shkojmë në Europian me Kombëtaren, ka licenca trajnerësh që njihen në Europë. Kombëtarja ka pasur progres, por s’mund të pretendojmë se jemi Anglia.
Po, por ne vijmë nga një sistem monist e i dimë mirë pasojat e njerëzve që rrinë gjatë në pushtet….
Ju kuptoj, por Duka s’po bën gjë kundër statutit, kundër rregullave. Garën e tij e lejon rregullorja dhe zgjedhjen ia japin votat. Një njeriu të votuar jepi dorën, prandaj unë jam i mendimit që politika duhet të qëndrojë sa më larg sportit, vetëm kështu i shërben sportit si duhet.
– Po, por gjykatat kanë dhënë disa vendime për pavlefshmëri. Nga ana tjetër, nëse insistohet me ndërhyrje politike a ka shanse të penalizohemi nga UEFA dhe FIFA?
Unë dëshiroj që kjo çështje të mos politizohet, që të kemi një proces normal zgjedhjesh në FSHF. Ju siguroj që UEFA e FIFA po e vështrojnë procesin. Ju përmendët gjykatat. Dakord, gjykatat duhet të japin drejtësi, por në vendimet e tyre për këtë çështje ku janë bazuar, ku e kanë mbështetjen?
– Ju folët pak më lart për infrastrukturën, por s’duhet të harrojmë rolin e qeverisë në ndërtimin dhe përmirësimin e disa impianteve. Nga ana tjetër, shumë klube të traditës si në Kavajë, Berat, Lushnjë etj, nuk kanë modernitet në këtë aspekt…
S’është e lehtë të bësh infrastrukturën menjëherë, kjo varet nga ekonomia e një shteti. E theksuam më lart se disa hapa janë bërë, ka pasur progres.
– Të flasim pak për lojtarët e Kombëtares tonë në Europë. Spikat Broja, Gjimshti, por edhe lojtarët e tjerë. Duket se kemi një grup të mirë, apo është herët për ta thënë këtë?
Të gjithë janë lojtarë shumë të mirë, sidomos emrat që ju përmendët, por edhe të tjerët, të cilët kanë pasur një sezon pozitiv. Unë shoh që e ardhmja e Kombëtares është shumë e mirë. Disa lojtarë janë të nivelit shumë të lartë dhe unë konstatoj se, brenda një dhjetëvjeçari, Shqipëria do të ketë një përfaqësuese të nivelit të barabartë me kombëtaret e zhvilluara.
-A ka ardhur momenti që trajnerët shqiptarë të mund të drejtojnë klube jashtë vendit?
Unë jam vetë një prej atyre që nga të parët ka drejtuar jashtë vendit, kam drejtuar Shkëndijën e Tetovës, që e lashë 6 pikë para në renditje. Edhe Ernest Gjoka që ka drejtuar atje ka pasur sukses. Trajneri shqiptar, në pikëpamjen time, është i aftë, por unë do të këshilloja të mësojnë gjuhë të huaja, sidomos anglisht, pasi gjuha kur nuk e di bëhet pengesë. Edhe në kampionatin shqiptar teknikët më efikasë janë vendas. Vjet kampionatin e fitoi një shqiptar, Edi Martini. Shiko, ka një shprehje të njohur që “trajner i mirë me skuadër të mirë”, por është fakt që teknikët shqiptarë po rriten dhe literatura moderne e futbollit është e përhapur edhe tek ne.









































