Google search engine
Home Aktualitet Robert Radoja: Në këngë ka hyrë tregtia, ka fjalë dhe jo poezi,...

Robert Radoja: Në këngë ka hyrë tregtia, ka fjalë dhe jo poezi, nga Festivali i Këngës në RTSH nuk mbetet asgjë pas

0
360

Artistë të njohur sot e kanë nisur rrugëtimin artistik vite më parë me kompozitorin Robert Radoja. Profesor Radoja thotë se nëse kujdesemi për talentet që në fëmijëri ata shkëlqejnë në skena më pas. Në intervistën për gazetën “SOT”, kompozitori Robert Radoja, “Mjeshtër i Madh”, flet për aktivitetin e tij artistik. Ai sjell në vëmendje disa nga artistët e njohur shqiptarë, por ndalet dhe në problemet që shikon në këngë. Sipas tij, poezia është determinante në këngë por sot ka fjalë dhe jo poezi. Për kompozitorin Radoja, nuk mundet dot që një njeri të bëjë poezinë, muzikën dhe të këndojë dhe nëse kjo ndodh janë raste të rralla. Kompozitori i njohur Robert Radoja shprehet me kritika edhe për Festivalin e Këngës në RTSH, që sipas tij pasi mbaron asgjë nuk mbetet më pas. Sipas tij, problem është se sot në këngë ka hyrë tregtia.

-Artistë të njohur kanë nisur rrugëtimin me ju në fushën e muzikës. Sot si ndiheni?

Ne jemi një popull shumë i talentuar. Nëse kujdesemi që në fëmijëri për shumë drejtime talentesh, ku mund të dalin këngëtarë, instrumentistë, piktorë etj. Pothuajse në të gjithë botën ka artistë shqiptarë që bëjnë pjesë në institucione dhe në formacione të ndryshme. Por po nisa të përmend emra mund të harroj ndonjë. Kryesorët janë Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Gëzim Myshketa që janë sot në të gjithë skenat e botës. Në shekullin e 16-të e 17-të quheshin muzikantë shëtitës që shkonin për festa, dasma, ngjarje të tjera të gëzueshme dhe ata filluan embrionin e një emocioni muzikor, që të mund të komunikojë me të gjithë. Ne e quajmë këngë sot.

-Edhe kënga ka pasur zhvillimet e saj…

Në fillime ka qenë e koklavitur. Kënga tek ne ka filluar nga gjysma e shekullit të 19-të, kaq kam njohuri. Ndikimi ka qenë në dy zona në Shkodër dhe në Korçë. Në Korçë të shkollës franceze dhe në Shkodër kanë qenë françeskanët, që kanë pasur shkolla. Që në 1880 është një emër i njohur dhe në historinë e muzikës shqiptare, Palok Kurti, i cili ka shkruar shumë këngë të bukura dhe aty lindi dhe karakteri i këngës shkodrane. Më pas kanë ardhur dhe autorë të tjerë derisa filloi të formohej një shkollë me profesionistë. Kanë qenë disa muzikantë, që kryesisht kanë studiuar jashtë dhe më pas prej tyre lindën shumë përfaqësues, njerëz që sot përfaqësojnë muzikën shqiptare, si në Korçë ashtu dhe në Shkodër. Në Korçë përshembull është Kristo Kono, që ka merita të pashlyeshme në kulturën e muzikës shqiptare, por Shkodra, meqë e kishte filluar më parë këtë punë, nxori dhe shumë personalitete si Prenk Jakova, Tonin Harapi, Tish Daija, Simon Gjoni, të cilët i dhanë dhe një zhvillim të dyja rrymave. Kjo pasi u bashkuan të gjitha kërkesat në një kohë. Deri në vitet ‘50 ka qenë fenomeni i vënies së veprave të mëdha teatrale muzikore opera, opereta, drama muzikore etj. Krahas kësaj ishte e zhvilluar edhe kënga. Ne kemi qenë nën ndikimin e kulturës italiane dhe triumfoi kënga. Nuk është asgjë e keqe, por shumë e bukur. Por nëse për të bërë një vepër të madhe si simfoni, opera, balet patjetër duhet profesion, për të krijuar këngën që është gjë shumë e bukur, një emocion i thënë shkurtimisht, mund ta bëjë kushdo, mjafton të ketë disa të dhëna, kurse një vepër e madhe muzikore do studime. Kryesisht gjatë gjithë karrierës sime, në qendër të vëmendjes ka qenë kënga. U shkruanin këngë pa fund. U bënin 26 festivale vetëm për fëmijë dhe 26 për të rritur, që të gjithë donin krijimtari kënge. Por ka dhe njerëz që nuk janë muzikantë dhe kanë bërë këngë, që kanë mbetur në jetë. E kanë pasur një sens të së bukurës, sepse ndryshe nuk bëhet kënga. Por për mendimin tim kryesore në këngë është poezia.

-Sipas jush sa ka rëndësi poezia, çfarë i sjell këngës?

Poezia për këngë është ndryshe nga poezia e një mendimi poetik të një poeti. Kurse kënga ka një kuadraturë, që duhet ti përshtatesh për muzikë. Përgjithësisht deri tani pak shikon diçka që ka devijuar nga tradita klasike e këngës, që quhet strofë, refren, hyrje dhe finale. Shumë pak  ndryshuar dhe nuk di se si do të jetë në vijim.

-Pse këngët e festivaleve sot harrohen shpejt?

Agim Krajka, ndër të shkëlqyerit kompozitorë të këngës, sepse ai ka bërë dhe shumë gjëra të tjera si opereta apo muzikë filmash, ka thënë: “Nëse dëgjon një këngë dhe kur del nga salla nuk di ta kujtosh, fërshëllesh, nuk është e dobishme”. Lindën dhe disa që quhen kantautor. Shumica sot në botë janë kantautorë, si të tillë sollën një larmi të pafund, se secili kishte cilësitë e veta në të shprehur dhe dolën emra të mëdhenj botërorë që janë marrë me këngë dhe tani po kështu. Por kanë bërë emër për shembull Agim Krajka, Agim Prodani (po flas për kohën time). Sot kemi emra të vlerësuar si Luan Zhegu, Elton Deda dhe të tjerë. Në 1949 është bërë një këngë, që quhet “Lule borë” dhe vazhdon të këndohet. Autori ka qenë profesionisti Simon Gjoni. Koha do seleksionojë atë më të nevojshme, atë më të bukurën në këngë, më të goditurën që do të jetojë gjatë. Koha i seleksionon këngët. Kënga përfaqëson një shije të kohës. Nuk besoj që sot është shkak muzika që harrohen këngët, por besoj është poezia që nuk thotë asgjë. Në Festivalin e Këngës në RTSH në dhjetorin që lamë pas, çfarë do të thotë kënga që fitoi që nuk është poezi? Nuk është poezi, është një stil kënge. Nëse ata që kanë qenë në festival, në juri, e kanë pranuar atë si poezi unë nuk di çfarë të them. Por ka një gjë, janë bërë shumë festivale dhe është e mirë që nuk u këput vargu. Por nëse vështron qëllimin pse bëhen këto këngë kështu, synimi është Festivali Europian i Këngës, “Eurovision”.

-Çfarë përcolli për ju festivali në RTSH dhjetorin që lamë pas?

Në vitin 1963 u bë baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, që është bërë për tre muaj çdo javë nga dy herë në skenë. Kur u bë Festivali i 11-të më 1972, që ishte i nxitur për të bërë një gjë që do ta konkurrojmë dhe ne, atëherë ka qenë marrëveshja e parë për të shkuar në Festivalin Europian të Këngës që nuk e thotë askush, por duhej të paguheshin kuota dhe nuk u ra dakord dhe nuk u bë marrëveshja. Kjo ishte çështje shtetërore, por tentativa ishte. Në atë kohë kur bënim festival thonin do ta bëjmë festivalin si i Sanremos dhe ne e kemi bërë njësoj si ai festival. Merreni një këngë në Festivalin e 11-të të Këngës dhe një këngë të festivalit të Sanremos të 1971 apo 1972, por  ishin si pretendim artistik. Pra, që nga dhjetori deri në mars ka buçitur Shqipëria me të gjitha këngët e festivalit të dhjetorit. Në mars ndodhi katastrofa dhe jo vetëm për muzikën. Por ajo ka qenë arritje. Festivali i Këngës në RTSH në fundvit si performancë ishte perfekt, sepse nuk ndodh më që të ketë gabime dhe produksionet bëhen me kujdes, por më thoni ka mbetur ndonjë gjë? Kjo është deficit i madh. E keqja më e madhe është që as vetë institucioni, që e organizon, që është RTSH, nuk i transmeton këngët sa duhet. Në kohën tonë kanë qenë poezitë. Poezia është determinante në këngë, por sot unë bëj poezinë, unë bëj këngën, unë e këndoj. Është ajo që ju thashë që mund t’i kesh këto tre talente, por është e rrallë shumë. Sot janë fjalë në këngë nuk është poezi, sepse nuk thotë asgjë.

-Si ka ndikuar kjo që ju pohoni, se synimi është “Eurovision” në këngët që marrin pjesë në festivalin e RTSH?

Festivali Europian i Këngës nuk thotë asgjë. Të nesërmen e Festivalit Europian askush nuk i këndon këngët, sepse janë individuale. Kënga ka humbur sensin social. Nuk është melodia, nuk është muzika, është poezia. Kur shkruante Xhevahir Spahiu, Fatos Harapi, Dritëro Agolli dhe ka bërë poezi për këngë dhe Ismail Kadare merreni me mend se ata do të thonin diçka, që do të jetojë si fjalë edhe nëse nuk është me muzikë. Poeti është gjithmonë një hap para kohës, një mendim që parandjen, sa më bukur ta shprehë kjo është aftësia. Por sot tek ne ka konsum, pavarësisht këto dy vite që kanë qenë të kufizuar, edhe kënga në këtë rrugë do të shkojë. Problem është sa do të jetojë kënga. Ka bërë Osman Mula një këngë, që ka qenë me titull “A do të vish Alo, Alo…!, që vazhdon të këndohet kudo dhe mos harroni se është e para viteve ‘90, por një këngë që është e goditur. Ka dhe këngë që jetojnë, problem është se ka hyrë tregtia sot në këngë.

-Si i keni parë institucionet në zhvillimin e artit?

Institucionet janë, shkollat janë, akademia është, por problemi nuk është që t’i gjesh punë njeriut, por punës ti gjesh njeriun.

 -Për ju çfarë është shqetësuese në fushën e të drejtës së autorit?

Kështu siç ka ndodhur me shpartallimin e pronës, do të ndodhë dhe me shpartallimin e të drejtës së autorit. RTSH, i vetmi televizion që është shtetëror, është i pari që nuk zbaton si duhet ligjin. Transmeton pa fund muzikë shqiptare sepse ka disa kanale, por dhe radio ka kanale, transmeton dhe muzikën e huaj dhe unë nuk e di me leje apo pa leje. Besoj që edhe me leje e drejta autorit ekziston. Ne jemi shumë larg nga kjo thënie, aq më tepër që ka dy kanale që transmeton vetëm filma shqiptarë.

-Si kalojnë ditët për profesor Radojën?

Unë pi kafen te një lokal, që bashkë me miqtë e mi artistë e kemi si vendin tonë. Mblidhemi mbrëmjeve me miqtë që janë artistë, si piktorë apo muzikantë dhe kryesisht bëjmë biseda të ndryshme, por kemi edhe një piano dhe luajmë edhe muzikë romantike e klasike dhe kështu kalon koha.

Aktiviteti artistik

Robert Radoja ka lindur në 15 prill 1938 në Bolonja (Itali). Në vitin 1951 fillon studimet në Liceun Artistik në Tiranë për piano. I mbaron ato në vitin 1959. Në vitin 1962 fillon studimet e larta në Konservator ku edhe diplomohet për piano në vitin 1966. Po në këtë vit fillon punën në Pallatin e Pionierëve në Tiranë në sektorin e muzikës. Gjatë kësaj periudhe ai orkestron këngë të muzikës së lehtë, duke qenë prezent në rreth 40 festivale si ato të zhvilluara në RTSH ashtu dhe ato të këngës për fëmijë. Në vitin 1981 emërohet redaktor i muzikës në ish-Kinostudion “Shqipëria e re”. Në këtë detyrë ai do të punojë deri në vitin 1986. Robert Radoja që prej vitit 1985 do të jetë edhe pedagog në Akademinë e Arteve, dega piano, si dhe pedagog për Muzikën e Dhomës dhe Shoqërime në klasën e flautit . Kompozimi i tij i parë në muzikën filmike do të jetë në vitin 1970 me filmin “Guximtarët”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here