Në kampionatin anglez luajnë pak futbollistë shqiptarë, por ata kanë cilësi dhe këtu vëmendja është tek dy elementë të talentuar si Armando Broja i Sauthemptonit dhe Milot Rashica i Noruiç Sitit, dy futbollistë që kanë peshë në skuadrat e tyre. Duhet theksuar se Broja, një djalosh vetëm 20 vjeç, ka bërë një punë të shkëlqyer me Sauthemptonin dhe ka qenë në faqet e para të shtypit sportiv britanik si një prej elementëve të rinj më premtues dhe më efikasë në Europë, duke qenë më produktiv sesa Lukaku i Çelsit dhe nuk kanë munguar presionet e tifozerisë londineze që ta kthejnë djaloshin shqiptar sërish në gjirin e bluve. Në një intervistë për gazetën lokale të Sauthemptonit, “HampshireLive”, Broja ka folur me superlativa për ekipin që ai ndodhet, se si filloi gjithçka dhe se është shumë i lumtur për zgjedhjen që ka bërë. “Çdo gjë ka kaluar shumë shpejt. Kur e mendon si filloi është çmendur. Gjashtë muaj kanë shkuar shumë shpejt. Kur kam luajtur ndeshjen e parë, thashë “Uau, po luaj në Premier League. Shumë njerëz e kanë ëndërruar këtë qëkur kanë qenë fëmijë”, u shpreh e sulmuesi shqiptar. Gjithashtu ai shtoi dhe: “Klubi është i njohur se ka prodhuar shumë lojtar të mëdhenj si Van Dajk, Mane, Hojbjerg etj. Është vendi i duhur që duhet për t’u rritur si lojtar. Jam i lumtur si po shkojnë gjërat. Erdha këtu si një djalosh i ri dhe po mësoj shumë dhe po filloj të bëhem burrë. E gjitha falë Sauthemptonit. Ata më kanë ndihmuar shumë në rrugëtimin tim dhe shpresoj që të bëhet akoma më mirë”. Kur u pyet për të ardhmen, Broja tha: “Nuk dua të mendoj për më shumë sepse mund të dëmtojë mentalitetin dhe mendjen time”, përfundoi 20-vjeçari. Çelsi ia ka rritur vlerën e kartonit deri në 45 mln euro, duke e bërë më të kërkuarin e moshës së tij, ndërkohë që tifozët e bluve të Londrës e duan në “Stamforde Bridge” sezonin tjetër.
Kombëtarja, Broja do shansin e madh
Në muaji mars përfaqësuesja jonë do të ketë dy takime miqësore, një me Spanjën në transfertë e një me Gjeorgjinë në Tiranë, ku trajneri Edi Reja do të ketë shansin të provojë elementë të rinj, midis të cilëve edhe Broja do të ketë rastin të tregojë vlerat e tij pas këtij sezoni fantastik në Premier League angleze. Broja do të jetë me patjetër në formacion, nisur dhe nga fakti se trajneri është në kulmin e kritikave nga shtypi dhe opinioni publik, pasi djaloshi ka luajtur titullar në kampionatin anglez, ka shënuar gola me vlerë, kurse trajneri e ka aktivizuar vetëm disa minuta në ndeshjet kualifikuese të Botërorit “Katar-2022”. Por, nëse Shqipëria arriti në 18 pikë, kjo duhet thënë se meritat për të paktën 6 pikë i ka djaloshi me origjinë nga Malësia e Madhe, sepse i shënoi Hungarisë në të dy takimet në fitoret minimale 1-0. Po të shtohet këtu dhe goli ndaj Andorrës, atëherë bindesh se 9 pikë Shqipërisë në këto eliminatore ia dha sulmuesi Armand Broja, ndërkohë që trajneri Edi Reja i dha vetëm pak minuta në dispozicion. Nëse përsëritet kjo mund të shkaktohet një skandal i madh. Prandaj është e sigurt që me formën e tanishme Reja do ta aktivizojë titullar në të dy ndeshjet, sidomos ndaj Spanjës, një miqësore luksi për lojtarët e ekipit tonë kombëtar.









































