Thellohen përplasjet mes kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Pasi e përjashtoi nga grupi parlamentar demokrat dhe e zhveshi nga të gjitha funksionet në PD, shefi i selisë blu ka intensifikuar sulmet dhe akuzat në adresë të ish-kryeministrit Berisha dhe mbështetësve të tij. Thuajse çdo ditë në media, rrjetet sociale apo takime elektorale dhe me demokratët në zona të ndryshme të vendit, zoti Basha shprehet se Berisha i përket të shkuarës dhe se sipas tij, ai është e keqe e madhe nga i cili të gjithë duhet të distancohen. Por ofensiva e Bashës nuk ndalet me kaq, pasi ai e ka sulmuar shumë fort ish-kreun e demokratëve mesnatën e djeshme. Gazeta ka mësuar se në celularët e deputetëve të Partisë Demokratike dhe eksponentëve më të lartë të PD, ka mbërritur një mesazh që është porosi e liderit demokrat, i cili akuzon Berishën se ka provokuar demokratë gjatë takimit që ai mbajti paraditen e së dielës në “Qytetin Studenti” në kuadër të 20 shkurtit të vitit 1991, ku në foltoren e improvizuar, u shfaqën tre gishtat, që janë simboli i serbëve dhe dyshes Millosheviç-Vuçiç. Për këtë arsye, në mesazh zoti Basha shprehet se nuk habitet, pasi kjo është një e vërtetë që sipas tij, Berisha është një fanatik i Sllobodan Millosheviçit. “Sali Berisha provokoi sërish sot, shqiptarët dhe vëllezërit tanë, ku në ceremoninë për 31 vjetorin e monumentit të diktatorit, Enver Hoxha, zgjodhi që fjalimin e tij ta shoqëronte me foton dekor të simbolit të xhelatit Millosheviç, sikundër janë 3 gishtat lart. Turp dhe skandal që Berisha ka rënë kaq poshtë, ku në kushtet kur arsyeja i është errësuar, ai zgjedh të provokojë me 3 gishtat e Millosheviçit, që ai e kishte idhull dhe e ndihmoj, duke e furnizuar me naftë në mesin e viteve ’90”, thuhet në mesazh.
Berisha dhe Meta po përdorin krimin në zgjedhjet e 6 marsit
Më tej në mesazhin që iu është dërguar deputetëve dhe zyrtarëve më të lartë të Partisë Demokratike, kryedemokrati Lulzim Basha hedh akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit Ilir Meta, për të cilët thekson se po përdorin persona me rekorde kriminale në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit. “Doktor Berisha është thjeshtë një patericë e Edi Ramës dhe përfitoj t’i bëj thirrje që t’i ndalë presionet ndan demokratëve, ku së bashku me Ilir Metën po përdorin kontingjente krimi për zgjedhjet e 6 marsit. Por ta harrojë, sepse qytetarë më 6 mars do t’i japin një shuplakë të fortë, Berishës, Ramës, Metës dhe falangave të krimit”, thuhet në mesazh.
Drejtësia do vendosë për të ardhmen e Berishës
Por nuk ndalet me kaq, pasi në mesazhin që iu ka shkuar demokratëve, zoti Lulzim Basha akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha se kërkon të përdorë demokratët për interesin e tij. Megjithatë, në mesazh theksohet se Berisha nuk do t’ia arrijë kësaj dite, sepse do të dalë nga skena politike. “Duke marrë shkas nga shumë mesazhe që kam marrë sot nga demokratët mbi retorikën që po përdor “non grata”, më lejoni t’ju bëj me dije se edhe unë si lidership i Partisë Demokratike jam shumë i shqetësuar që Sali Berisha kërkon të përdorë si mish për top demokratët. Ai është i gatshëm që të bëj pakt me djallin për të arritur atë që do. Por jo, ajo ditë ka perënduar dhe Sali Berisha ka zero mundësi që të triumfojë pasi për ne si demokrat dhe amerikanët ai ka dalë në pension dhe i takon drejtësisë që të vendosë se kush do jetë e ardhmja e ‘non gratës’”, thuhet në mesazh.









































