Google search engine
Home Politike Thellohet skandali, Bashkia Durrës dha 11 miliardë lekë pa garë për inceneratorin...

Thellohet skandali, Bashkia Durrës dha 11 miliardë lekë pa garë për inceneratorin e Tiranës, ja si po gërryet buxheti i shtetit

0
216

Thellohet akoma dhe më tej skandali me inceneratorët. Teksa PD është fokusuar te shpenzimet që ka dhënë qeveria dhe Bashkitë e Tiranës, Elbasanit dhe të Durrësit, duket se pjesë e skandalit është edhe Bashkia e Durrësit. Kjo e fundit do të sjellë mbetjet të trajtohen në Tiranë, por edhe pse nuk ka ende incenerator në kryeqytet, fondet jepen. Sipas të dhënave të siguruara pranë portalin “Open Data Albania”, INTEGRATED ENERGY BV SPV, ka përfituar përmes një tenderi me negocim, pa njoftim, 1,126,035,200 lekë me objekt: Depozitimi i mbetjeve urbane Bashkia Durrës. “Me anë të kësaj ju informojmë se ofertuesit e mëposhtëm kanë marrë pjesë në këtë procedurë me këto vlera përkatëse të ofruara: 1. INTEGRATED ENERGY BV SPV, me NIPT L72031013B, me vlerë të ofertës 1,126,035,200 lekë (një miliard e njëqind e njëzet e gjashtë milion e tridhjetë e pesëmijë e dyqind) lekë pa TVSH”, thuhet në dokumentet e Bashkisë Durrës. Tenderi është mbajtur në datë 13-09-2021 dhe fituesi u shpall më datë 28-09-2021. Kompania në fjalë është kompania e cila ka ndërtuar inceneratorin e Tiranës. Ndërkohë sipas informacioneve edhe Bashkia e Kavajës ka bërë të njëjtën gjë, por që në ditët në vijim do të publikojmë dokumentet. Ajo që vihet re është se kompanitë e inceneratorëve kanë marrë miliarda lekë, ndërkohë që inceneratorë nuk ka. Në Tiranë momentalisht bëhet përpunimi i mbetjeve nga landfilli, pra depozitohen dhe nuk ka djegie me incenerator.

Sigurohen dokumente të reja

Ndërkohë dje Partia Demokratike ka vijuar me denoncimet. Kryetarja komisionit hetimor Jorida Tabaku, tha se në dokumentacionet e marra nga institucionet mungonin disa faqe, që ata i kanë siguruar më pas dhe do publikohen në ditët në vijim. “Zyrtarisht, i kanë hequr disa shkresa nga dosjet, por i kemi marrë këto, pa merak. Ka zyrtarë kurajozë plot administrata publike. Do t’i shikojnë ministrat nesër, kur të vijnë në komision”, tha Tabaku, duke u shprehur entuziaste se në administratën publike ka ende punonjës që kanë refuzuar të firmosin dhe kanë dhënë dokumente dhe dëshmi të vlefshme. Ajo e ka cilësuar të gjithë skemën e inceneratorëve dhe krijimin e kompanive të ndryshme nga të njëjtët persona që janë në kërkim Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe Mirel Mërtiri si skemë piramidale që rrezikon financat e shtetit. Tabaku theksoi, se janë krijuar kompani guaskë dhe kanë paguar veten duke krijuar kështu një monopol. “Kanë paguar veten. Kjo është një skemë piramidale për të mbuluar ku shkojnë paratë. Kjo skemë piramidale pastrimi parash është duke marrë mbrojtje politike. Çfarë kemi prodhuar me dëshmitarë në grupin e administratorëve. Ky grup prej 10 personash kanë marrë përsipër, kanë krijuar kompani njëra pas tjetrës dhe kanë marrë përsipër që të marrin këtë koncesion 430 milionë euro. Çfarë i ka penguar që të konkurronin me emrat e vërtetë të kompanisë. Kjo tregon që është krijuar një monopol. Kush ishte ministri i Ekonomisë, çfarë bëri sekretari i përgjithshëm që kishim një monopol 430 milionë euro”, tha Tabaku.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here