Shqipëria ka një sistem problematik taksash, gjë që është kthyer problem serioz përsa i përket evazionit fiskal që krijohet nga disnivelet e taksimeve. Biznesi shqiptar haset vit pas viti me ndryshime taksash, sistemesh tekonologjike dhe kosto të larta operimi që ndikojnë drejtpërdrejtë në të ardhurat e tij. FMN ka publikuar një raport të zgjeruar sa i përket reformës së taksave në vendin tonë, me të dhënat që janë mbledhur deri në shkurt të vitit 2020. Sipas raportit, ndërsa Shqipëria ka elementë të një sistemi modern të tatimit mbi të ardhurat, janë disa veçori si taksa progresive mbi të ardhurat personale (TAP), tatim fitimi për bizneset mbi një prag të caktuar, një taksë e thjeshtuar mbi fitimet, dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe mënyrën ato ndërveprojnë, e bëjnë atë tepër komplekse, duke gjeneruar shtrembërime dhe joneutralitet. Për shembull, pragjet e shumta fragmentojnë bazat e tatimit mbi të ardhurat dhe normat tatimore të aplikueshme. Rregullat komplekse ofrojnë stimuj dhe mundësi për tatimpaguesit për të minimizuar ose shmangur pagesën. Institucioni financiar radhit në këtë raport një sërë propozimesh dhe këshillash për qeverinë shqiptare sa i përket regjimit të taksave, por duke evidentuar 7 ndërhyrje konkrete që do të ndikonin ndjeshëm në rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Këto 7 taksa do të kishin një ndikim prej rreth 1.04% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin aktual, që përkthehet në rreth 167 milionë euro, dhe do të ngjitej në 1.34% në dy vitet në vijim. Më specifikisht, ndërhyrja që do të kishte impaktin më të madh do të ishte ajo e taksimit të të vetëpunësuarve. Fondi Monetar Ndërkombëtar këshillon qeverinë shqiptare që të vetëpunësuarit të përfshihen në regjimin e tatimit mbi të ardhurat personale dhe mos të trajtohen si biznes i vogël. Kjo ndërhyrje do të përkthehej në 0.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Taksa e pronës
Në vend të dytë në terma kontributi në buxhetin e shtetit është taksa e pronës, ndikimi i së cilës përkthehet në 0.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas Fondit kjo taksë në Shqipëri është mjaft e ulët dhe do të duhej më shumë se dyfishim i saj për të qenë në një nivel me vendet e ngjashme me ne.
Ambienti
Së treti kërkohet një ndërhyrje në taksimin e ambientit, nëpërmjet të gjithë mekanizmave, si rritja e taksave për qeset plastike, kanaçet e aluminit, etj. Kjo ndërhyrje do të përkthehej në 0.25% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Biznesi i vogël
Së katërti FMN sugjeron zbatimin e një regjimi të ri tatimor për biznesin e vogël, dhe më specifikisht heqjen e dy niveleve prej 8 mln lekë dhe 14 mln lekë dhe zgjedhjen e vetëm njërit prej tyre, si dhe vendosjen e një regjimi fiks taksimi bazuar mbi një mesatare prej 3% të xhiros vjetore, e cila sipas institucionit në terma monetarë është rreth 50 mijë lekë në vit. Kjo ndërhyrje përkthehet në 0.22% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit tonë.
TVSH dhe akciza
Së pesti Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) i reduktuar në sektorin e hotelerisë është gjithashtu një ndër problemet që lënë shteg për evazion fiskal. FMN mendon se taksimi duhet të jetë i barabartë për të gjithë me 20%, duke shtuar se për shumë shërbime që ofron sektori është i paqartë regjimi tatimor, nëse duhet të jetë 20% apo 6%. Së gjashti FMN propozon që akciza e së birrës dhe verës, nuk duhet të ketë përjashtime dhe disnivele taksash sipas por duhet të jetë e unifikuar. Taksa e shtatë që duhet rishikuar, sipas FMN ajo e naftës. Edhe për akcizën e naftës kërkohet unifikimi i akcizës si edhe për birrën dhe verën. Përfitimi nëpërmjet këtyre dy ndërhyrjeve do të ishte në 0.07% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. FMN radhit edhe një sërë ndërhyrjesh të tjera në regjimin tatimor, por që do të duan më shumë kohë dhe nuk janë emergjente. Dy problemet më të mëdha të këtij regjimi në vendin tonë, sipas FMN janë kompleksiteti i sistemit dhe prania e përjashtimeve, të cilat duhet eliminuar sa më shpejtë.






































