Google search engine
Home Sport Partizani “ringjallet” me Mehmetin ne Skukën, të kuqtë me objektiva të qarta...

Partizani “ringjallet” me Mehmetin ne Skukën, të kuqtë me objektiva të qarta për Europën

0
260

Kategoria Superiore ka hyrë tashmë në fazën e saj të verdikteve, edhe pse kampionati ka ende shumë xhiro deri në fund. Por Tirana e shkëputur me 6 pikë në klasifikim ka shanse maksimale për të fituar titullin kampion. Por gara për titullin mbetet e hapur, pasi Laçi është vetëm 6 pikë larg, e po ashtu dhe Kukësi e Vllaznia që janë respektivisht 8 dhe 10 pikë. Duke pasur parasysh formulën e garës, ku ka shumë përplasje direkte, atëherë gara për titull mund të konsiderohet e hapur në 16 javët e mbetura.  Pas largimit të trajnerit Ilir Daja dhe emërimit në vend të tij të Dritan Mehmetit, edhe Partizani ka bërë hapa përpara dhe tani është në rrugën e duhur për t’i realizuar objektivat e veta. Në fakt, Partizani mund ta realizojë këtë objektiv kryesisht nga Kupa e Shqipërisë, ku ka mundur të shkojë në gjysmëfinale dhe ka shanse reale që ta mbyllë sezonin me trofe dhe me pjesëmarrje në kompeticionet e UEFA-s. Kapja e zonës europiane nga kampionati duket më e vështirë, pasi skuadra është prapa me pikë nga Tirana kryesuese.

Situata në kampin e kuq

Ecuria e Partizanit duhet parë me etapa, njëlloj si situata e kampionatit aktual. Është një sezon i vështirë, larg objektivave në kampionat, një nisje jo e mirë e vitit 2022, por në tre ndeshjet e fundit, Partizani njeh vetëm fitore, duke marrë terren në renditje dhe duke prekur fazën gjysmëfinale në Kupën e Shqipërisë. Suksesi i fundit, në Korçë, përballë Skënderbeut ishte treguesi i vërtetë se “të kuqtë” nuk janë dorëzuar dhe kërkojnë të ndryshojnë kurs, krahasuar me gjysmën e parë të sezonit. Një përmbysje karakteri në stadiumin “Skënderbeu”, me protagonist absolut sulmuesin, Xhuliano Skuka, të besuarit e Mehmetit koleksionuan fitoren e dytë radhazi në kampionat dhe të tretën në seri. Ecuria pozitive e kishte zanafillën pikërisht në suksesin e arritur ndaj Teutës, në ndeshjen e fituar nga kryeqytetasit 4-0, ku për herë të parë në këtë edicion, “demat” shënuan katër gola në një ndeshje, më pas triumfi ndaj Dinamos në kupë, që i siguroi Partizanit biletën për në gjysmëfinale dhe në fund përmbysja ndaj Skënderbeut, në një takim ku skuadra e Mehmetit shpalosi të gjitha cilësitë, duke interpretuar një nga ndeshjet më të mira në këtë sezon. Momentalisht, Partizani numëron shtatë fitore, katër prej të cilave në transfertë, ndërsa sa i përket barazimeve, “të kuqtë” ngecin, pasi deri tani numërojnë shtatë të tilla, sa gjysma e edicionit të kaluar. Te kolona e humbjeve, Partizani çalon në këtë sezon, 6 humbje deri tani, një më shumë se sezoni i kaluar duke vendosur në dukje vështirësitë që ka kaluar skuadra në pjesën e parë të sezonit. Janari, merkato dhe ndryshimet në pankinë kanë dhënë frytet e para, pasi me Mehmetin, Partizani numëron 4 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje, me 11 gola të shënuar, 5 prej të cilëve i ka realizuar Skuka dhe vetëm 3 të pësuar. Tani Partizani ka tjetër “look” me Mehmetin në pankinë, Skukën në sulm dhe me skuadrën që javë pas jave fiton stabilitetin dhe harmoninë e munguar, duke u rikthyer te shinat e duhura. Horizonti i “të kuqve” nuk është aspak premtues dhe shkalla e vështirësisë sa vjen edhe rritet, sepse pas derës janë Vllaznia, Dinamo, Kukësi dhe Tirana.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here