Shfaqja “Pa mua” frymëzuar nga Samuel Beckett vjen në skenën e Teatrit Eksperimental

0
215

Shfaqja teatrore “Pa mua” frymëzuar nga Samuel Beckett vjen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” te “ArTurbina” në Tiranë. Shfaqja me regji nga Alban Beqiraj do të vijë për publikun në Tiranë mbrëmjen e datës 18 shkurt dhe do të jetë me interpretimin e artistëve nga Kosova. Tre protagonistë janë mbledhur të rrëfejnë sipas tyre jetën e një gruaje, që s’është më. Të tre paraqesin në mënyrë alternative historinë e kësaj gruaje të munguar: asaj, që një ngjarje tronditëse i pat marrë gojën. Në materialin rreth shfaqjes thuhet se me këtë personazh të dramës “Not I” Samuel Beckett e reduktoi paraqitjen skenike deri në minimalen esenciale. “Nuk ka më tamam personazh. Vetë fjala është personazhi. Dhe ngjarja e vjell kuptimin, sepse vetë fjala e rigjetur është ngjarja. Pjesa “Pa Mua” nuk është interpretim i Beckett-it. Por është një adoptim i mënyrës së jetesës së personazheve të tij: të munduar – si shumica e njerëzve, aq dhe këmbëngulës”, thuhet për shfaqjen. Në shfaqjen me regjisor Alban Beqiraj interpretojnë aktorët Afrim Muçaj, Labinot Raci, Rajmonda Ahmetaj. Dramaturg Ilir Azizaj, kompozitor Marino Formenti, skenograf dhe kostumograf David Mohoric, ass. regjisor dhe videoinstalacion Mentor U. Berisha, dizajner i dritave Mursel Bekteshi, inspicient Bajram Mehmetaj, organizator Beqir Beqiri. Ky program mundësohet nga Bashkia e Tiranës, Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës dhe Rinisë së Kosovës, Qendra Kinematografike e Kosovës, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, si dhe Ambasada e Kosovës në Tiranë.

“Pa mua” dhe Samuel Beckett

“Pa mua” nga Samuel Beckett cilësohet ndër pjesët inovative të historisë së teatrit e si urë-lidhëse me artin bashkëkohor. Me këtë shfaqje regjisori Alban Beqiraj është prezantuar më parë dhe në skenën e Teatrit Kombëtar në Kosovë, ndërsa mbrëmjen e së premtes do të jetë në skenën e Teatrit Eksperimental. Samuel Beckett është një nga shkrimtarët modernë të shekullit të XX, njëherësh themelues i teatrit absurd. Beckett (lindi më 13 prill 1906- u nda nga jeta më 22 dhjetor 1989) ishte një shkrimtar avangrardist irlandez, dramaturg, skenarist, drejtor teatri, poet, i cili pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në Paris. Ai ka shkruar në të dyja gjuhët; frëngjisht dhe anglisht. Ai është ndër shkrimtarët më me ndikim të shekullit të XX. Vepra e tij na sjell një këndvështrim tragjikomik të ekzistencës njerëzore, shpesh herë të shoqëruar me një komedi të zezë dhe humor vrasës, dhe në fundin e karrierës së tij si shkrimtar bëhet në mënyrë rritëse minimalist. Ai konsiderohet një nga shkrimtarët e fundit modern dhe figura kyçe e asaj, që Martin Esslin e quajti teatri absurd. Samuel Beckett ka marrë çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 1969: “për shkrimin e tij i cili sjell forma të reja në prozë dhe në dramë, në mjerimin e njeriut modern, të cilin e ngriti në nivelet më të larta”. Ai ka shkruar shumë drama, romane, tregime dhe libra me poezi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here