Duka shkeli statutin duke caktuar njerëzit e KE-së për të “kanalizuar” votat në shoqatat rajonale

0
165

Si askush tjetër në Europë dhe në botë, për më tepër në fushën e sportit, një president federate kërkon mandatin e gjashtë. Kështu, pasi ka 20 vjet në krye të FSHF-së, me një qeverisje autoritare, administrim hermetik dhe me skandale të padëgjuara ndonjëherë, duke njollosur rëndë futbollin shqiptar me fenomenin e trukimeve dhe të braktisjes së shkallëve të stadiumeve, Armand Duka është sërish kandidat për president të FSHF-së, duke kërkuar mandatin e radhës. Për të mundësuar rizgjedhjen në krye të FSHF-së, Duka ka nisur prej kohësh të punojë, madje, sikurse shprehet me ironi një figurë e respektuar e futbollit, ai punon katër vjet për një ditë zgjedhjesh, duke nënkuptuar që puna kryesore e tij në krye të institucionit është të sigurojë vazhdimësinë e postit, pa e vrarë mendjen se çfarë ndodh me futbollin shqiptar në përgjithësi. Në zgjedhjet e asamblesë së marsit, një përqindje gati vendimtare të votave e kanë delegatët me të drejtë vote që janë zgjedhur pikërisht nga shoqatat rajonale. I ndjeri Bashkim Fino, që kandidonte kundër Dukës katër vjet më parë, kishte shprehur shqetësimin juridik të funksionimit të këtyre shoqatave që operonin si mekanizma votash për interes të Dukës, funksion që e kanë edhe aktualisht. Si të mos mjaftojë kjo, në fushatë janë përfshirë edhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, duke shkelur rëndë statutin.

Çfarë thotë statuti për anëtarët e Komitetit?

Funksioni i anëtarëve të KE-së është i përcaktuar në rregullore, pra në statutin e federatës. “Menaxhon dhe drejton punët e FSHF-së në përputhje me këto statute dhe siguron zbatimin e statuteve të FSHF-së. Mundet të aprovojë dispozitat ekzekutive të nevojshme për aplikimet e tyre. Me propozim të Presidentit, të emërojë dhe shkarkojë Sekretarin e Përgjithshëm. Me propozim të Sekretarit të Përgjithshëm të emërojë apo të shkarkojë shefat e sektorëve të Sekretariatit të Përgjithshëm të FSHF-së. Me propozim të Sekretarit të Përgjithshëm të përmirësojë rregulloren e brendshme organizative të Sekretariatit të Përgjithshëm të FSHF-së. Të emërojë, pezullojë ose pushojë anëtarë të organeve gjyqësore të FSHF-së”. Siç shihet, në asnjë rresht nuk thuhet që të dalin në bazë për votime. Kjo është shkelje flagrante e statutit.

Anëtarët e Komitetit u shndërruan në votambledhës për Dukën

Si në asnjë vend tjetër të botës dhe me asnjë federatë tjetër, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, që paguhen për të marrë vendime dhe orientuar politikat e federatës, janë shndërruar në votambledhës për Dukën, duke dalë në bazë, e duke mos qenë thjesht monitorues të situatës. Në çdo qark të vendit, ku ishin pozicionuar dhe zhvilloheshin votimet e shoqatave rajonale, Duka dërgoi të besuarit e tij, njerëz që kanë firmosur në borderotë e FSHF-së, për të siguruar që procesi të “kanalizohet” në interesat e presidentit. Kjo përbën një shkelje flagrante të statutit, për më tepër bën pis procesin zgjedhor për president të federatës. Anëtarët E.Libohova në Gjirokastër, L.Nuri në Tiranë, V.Bici në Lezhë, F.Jera në Shkodër, A.Dervishaj në Korçë etj, pothuajse të gjithë anëtarët e KE-së u përfshinë në procesin e zgjedhjeve, duke qenë në krah të Dukës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here