Britania dhe Franca nuk binden, Johnson: Rusia po ndërton spitale në kufirin me Ukrainën, presim prova që dëshmojnë tërheqjen

0
171

Lajmërimi i Moskës për tërheqjen e trupave në kufi me Ukrainën, ka ngjallur reagime të shumta. Kryeministri britanik Boris Johnson, tha se pretendimi i Moskës nuk mbështetet nga të dhënat e marra nga shërbimet e inteligjencës britanike. “Ne po shohim hapjen ruse ndaj bisedave. Nga ana tjetër, raportimet e sotme nga inteligjenca nuk janë ende inkurajuese. Ne kemi spitale ruse fushore që po ndërtohen pranë kufirit me Ukrainën, në Bjellorusi, çka mund të interpretohet vetëm si një përgatitje për një pushtim. Ju keni më shumë grupe taktike batalionesh që po afrohen në kufi me Ukrainën. Për momentin po na vijnë sinjale të përziera”, tha ai. Johnson u shpreh se që perëndimi të bindet, duhet të shohë një program të vërtetë de- përshkallëzimi nga Rusia. Ndërsa një Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss tha se ka frikë se një sulm rus nuk do të ndalet në Ukrainë. “Ky është një sulm ndaj shteteve fqinje të Rusisë dhe vendeve të tjera të Evropës Lindore, në përpjekje për të minuar legjitimitetin e të qenit pjesë e NATO-s”, tha Truss. Ajo shtoi se një pushtim në Ukrainë mund të sjellë minimin e sigurisë më gjerësisht në Evropë. “Ne mund të shohim gjithashtu agresorë të tjerë në mbarë botën që e shohin atë si një mundësi për të zgjeruar ambiciet e tyre, kështu që ky është një moment shumë i rrezikshëm për botën”, tha Truss. Sekretarja britanike parashtroi një sërë mundësish, duke thënë se mund të ketë një sulm në Kiev, një sulm nga Lindja ose potencialisht një operacion “me skenar të rremë” – trillimi i një sulmi ukrainas ndaj Rusisë, për të cilin zyrtarët amerikanë kanë pretenduar më parë se Rusia do të bëjë, duke krijuar “një video propagandistike shumë grafike”. “Trupat ruse mund të zbresin në Kiev nga zonat kufitare shumë, shumë shpejt”, shtoi Truss.

Reagon Franca

Me mosbesim është parë deklarata e tërheqjes s trupave ruse edhe nga Franca. “Franca ende nuk ka vërtetuar nëse Rusia është duke tërhequr një pjesë të trupave nga kufiri i Ukrainës, por nëse informata është e saktë, ajo do të ishte “shenjë pozitive”. Nëse vërtetohet, kjo është gjë e mirë. Kjo tregon se ne mund ta vazhdojmë dialogun, se rruga e diplomacisë është një rrugë në të cilën ne mund të lëvizim së bashku”, tha zëdhënësi i qeverisë franceze, Gabriel Attal. Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian tha se Franca nuk ka qëllim për t’iu përgjigjur ushtarakisht” çdo pushtimi rus në Ukrainë, por ai shtoi se Parisi po e mbështet financiarisht Ukrainën. Le Drian paralajmëroi se një luftë midis Rusisë dhe Ukrainës do të ishte katastrofike për të gjithë, veçanërisht katastrofike për Rusinë para së gjithash.“Nëse ka një luftë në Ukrainë, nëse Rusia pushton, gazi ukrainas, për shembull, nuk do të rrjedhë. Pasojat ekonomike do të jenë jashtëzakonisht të vështira për t’u përballuar. Me masa bindëse mjaftueshëm të forta, Franca shpreson që presidenti Putin të reflektojë me të vërtetë mbi rreziqet që po ndërmerr, nëse Rusia nis një ofensivë kundër Ukrainës”, tha ai. Ndërsa SHBA akuzoi agjencitë ruse të inteligjencës se kanë punuar ngushtë me stafin editorial të pesë mediave në gjuhën ruse për të rritur mbështetjen e publikut për një pushtim të rinovuar rus të Ukrainës. Sekretari i Shtetit Antony Blinken, ka njoftuar gjithashtu zhvendosjen e operacioneve të ambasadës amerikane në Ukrainë, nga Kievi në Lviv

Takimi Putin –Scholz

Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar dje një takim me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Moskë, ku ka sqaruar se vendi i tij është i gatshëm për bisedime me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n në lidhje me transparencën ushtarake. Ai theksoi se një luftë me Ukrainën nuk është në planet e tij edhe pse SHBA e NATO janë përgjigjur negativisht ndaj kërkesave ruse për sigurinë. Ndërkohë Scholz ka pranuar se vlerëson që mjetet diplomatike nuk janë shteruar plotësisht, duke shtuar se njoftimi i tërheqjes së trupave ruse si një sinjal të mirë që shpreson të mos mbetet me kaq. “Është urgjente të kemi një de-përshkallëzimin në mënyrë që të mos kemi një luftë në Evropë. Është detyra jonë e mallkuar të parandalojmë një luftë në Evropë. Për ne gjermanët, por edhe për të gjithë evropianët, është e rëndësishme që siguria e qëndrueshme nuk mund të arrihet kundër Rusisë, por vetëm me Rusinë. Besoj se jemi në situatën që të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për të bërë të mundur një zgjidhje paqësore. Ajo që është e rëndësishme për mua është që bisedimet të zhvillohen në këtë grup kontakti trepalësh, pra në Minsk”, tha Scholz.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here