Google search engine
Home Aktualitet Teatri “Petro Marko”, Vlorë në 16, 17, 18, 19 shkurt do të...

Teatri “Petro Marko”, Vlorë në 16, 17, 18, 19 shkurt do të jetë “Hamami i grave” i Teatrit Shëtitës “Çajupi”

0
248

“Hamami i grave” do të shfaqet për publikun katër mbrëmje me radhë në teatrin “Petro Marko” në Vlorë. Një komedi e suksesshme që po vijon udhëtimin në skena të ndryshme teatrore të vendit tonë, ku këtë herë do të ndalojë në teatrin Vlorës. Komedia me regji nga Kiço Londo shfaqet në datat 16, 17, 18 dhe 19 shkurt në orën 19:00. Teatri Shëtitës “Çajupi” e nisi aktivitetin artistik këtë vit me komedinë brilante “Hamami i grave” në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, dhe deri tani vepra është mirëpritur nga publiku sipas regjisorit Londo. Komedia nga Nell Dunn, që është me regji nga Kiço Londo vjen e përkthyer nga Artur Lena. Mes aktoreve në role përmendim Albana Koçaj, Esela Pysqyli, Adriana Tolka, Ola Harizaj, Aiola Laska, etj, si dhe Elios Shuli. “Hamami i grave” është streha e tyre në një botë që vlon. Fjalët e tyre janë si monologje, sikur flasin me veten e tyre dhe po përpiqen të kuptojnë pozicionin e tyre. Burrat mungojnë, por ata janë të gjithëpranishëm në çdo rrëfim. Një botë e vështirë i pret jashtë hamamit me të gjitha llojet e shtypjes, dhunës dhe skllavërimit. Më parë në reagimet e tij regjisori Kiço Londo është shprehur mes të tjerave se shfaqja ka një qëllim, ku sipas tij vepra do ti flasë shpresës. “Në fakt ajo që mua më shqetëson më shumë është vrasja e shpresës…..Mendoj që vepra jonë do t’i flasë shpresës”, ka pohuar Londo. Komedia “Hamami i grave” shkruar nga Nell Dunn vjen në skenën e teatrit në Vlorë pas 3 mbrëmjeve me radhë, që u shfaq në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në qytetin e Korçës. Teatri Shëtitës “Çajupi” në aktivitetin artistik të tij po sjell vepra teatrore që mirëpriten nga publiku, ku pjesë është dhe komedia “Hamami i grave”.

 Ngjarjet te “Hamami i grave”

“Hamami grave” është një komedi e jashtëzakonshme, që i afrohet anës optimiste të jetës përmes historisë së disa femrave, secila prej të cilave ndihet e vetmuar dhe e dhunuar. Shfaqja flet me guxim, butësi dhe me humor për ecurinë e botës madhështore të femrës. Në materialin rreth shfaqjes thuhet se është një vepër e vështirë, e egër, realiste, njerëzore, e ndjeshme, e butë dhe humor, që zhyten në vendet e shenjta të shpirtit femëror. Një instalim i “rrënuar” i banjës turke në një rreth të Londrës, është vendi i relaksimit, pushimit dhe takimit për shtatë gra të vetmuara të moshave, nivelit shoqëror, ekonomik dhe arsimor të ndryshme. Pas dyerve të mbyllura dhe brenda mureve të lagura të hamamit, secila shkarkon mendime, ankthe, gëzime, ëndrra, zhgënjime, aventura në një mënyrë retorike. Ato janë të mërzitura me lajmet kërcënuese për prishjen e vendit të tyre të preferuar dhe krijimin e një biblioteke komunale dhe më pas ato kthehen të bashkuara dhe të vendosura kundër shtypjes së pushtetit lokal për shpëtimin e hamamit. Lufta e tyre e përbashkët kurorëzohet efektive, me armët e tyre të vetme vërtetësinë e ndjenjave dhe solidaritetin e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here