Një instalacion me letra dhe poezi të kolosëve të krijimtarisë shqipe u vendos dje në parkun e Liqenit artificial të Tiranës. Të hënën Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) shprehej se vjen pranë publikut kryeqytetas me një ekspozitë të pazakontë, për të kremtuar dashurinë. “Përkundër ekspozitave tradicionale, në një prej vendndodhjeve të frekuentuara më dendur në Tiranë, në parkun e liqenit artificial, është vendosur një instalacion me letra dhe poezi të kolosëve të krijimtarisë shqipe, i hapur për qytetarët që prej orës 10:00 të ditës së sotme”, shprehej të hënën DPA. Përmes letrave, një nga format më hijshme të shprehjes së ndijimeve, klasikët tanë kanë përcjellë pasionin për muzën e veprave të tyre, gruan. Hapësira e mbiquajtur Moli i dashurisë, është stolisur edhe me fotografi të hershme, pjesë e pasurisë dokumentare të paçmueshme të ruajtur në Arkivin Qendror Shtetëror (AQSH), që mbartin një domethënie lidhur me simbolikën e kësaj dite. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave shkruan se në këtë kënd të vendosur pranë natyrës, të gjithë qytetarët kanë mundësinë që përveçse të njihen me vargjet e autorëve të mirënjohur, sikurse janë: Lasgush Poradeci, Llukë Karafili, Migjeni, Mit’hat Frashëri, etj, të përjetësojnë një moment mes tyre përmes një shkrepjeje. “Në mënyrë të veçantë, në këtë pikëtakim për shumë të rinj, çiftet e të dashuruarve duke vizituar instalacionin, do mund të kuptojnë se të shkruarit, ndonëse cilësohet anakronik, mbetet mënyra më autentike e shprehjes së emocioneve”, shprehet Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Instalcioni me letra dhe poezi të kolosëve të krijimtarisë shqipe vjen në vijim dhe të aktiviteteve të tjera që u zhvilluan të hënën në Ditën e Shën Valentinit. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave për herë të parë i bashkohet atmosferës festive që krijojnë të dashuruarit. Dita e Shën Valentinit, e quajtur edhe dita e Shën Valentinit ose festa e Shën Valentinit, festohet çdo vit më 14 shkurt.









































