Kryeprokurorja e Durrësit, Anita Jella është konfirmuar në detyrë ditën e sotme. Ky vendim është dhënë nga KPA.
KPA ka lënë kështu në fuqi vendimin e dhënë nga KPK, pavarësisht ankimimit të bërë nga Komisioneri Publik.
Sipas KPA vendimi i dhënë më herët nga KPK është i drejtë dhe i bazuar në ligj.
KPA doli në përfundimin se rivlersimi i prokurores Anita Jella nga KPK ka qenë i saktë për të tre kriteret, pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.
Kush është Anita Jella?
Jella ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1999 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002. Ajo e ka filluar karrierën si prokurore në Elbasan në vitet 2001-2003 dhe më pas ka punuar si drejtuese e Prokurorisë së Librazhdit deri në vitin 2007.
Pas rikthimit për një vit në Prokurorinë e Elbasanit, Jella u emërua prokurore në Prokurorinë e Durrësit, ku e ushtron funksionin prej 10 vitesh. Më 9 maj 2018, Anita Jella u caktua drejtuese e Prokurorisë së Durrësit nga kryeprokurorja Arta Marku.









































