Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të bukur, më të mëdha dhe më të rëndësishëm të historisë dhe kulturës shqiptare. Por turistët që duan të shohin kalanë tashmë mund të hyjnë pa biletë. Kjo bëhet me dije nga ministrja e Kulturës Elva Margariti, e cila thotë se kalaja është dhe një nga zonat më të bukura. “Duke iu përgjigjur shqetësimit të banorëve të Beratit, vendosëm të heqim biletën hyrëse në kala. Tanimë turistë shqiptarë e të huaj mund të shijojnë vizitat e tyre në një nga zonat më të bukura jo vetëm të qytetit, por gjithë Shqipërinë”, shkruan Margariti në një status të saj. Kalaja është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 metra, me 24 kulla e me dy porta. Me themelet e saj ilire, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme: ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke. Kështjella është pjesë e legjendës së vjetër e të bukur të Tomorit dhe Shpiragut. Kalaja me emrin e lashte Antipatrea përmendet në vitin 216 p.e.s. Nga romakët u quajt edhe Albanorum oppidium (fortesa e Arbërve). Ndryshe nga kështjellat e tjera kalaja e Beratit ka qenë e pajisur me 24 kulla, të cilat emërtohen sot me emrin turk tabje së bashku me muret ato i përkasin periudhave të ndryshme të ndërtimit që nisin qysh nga shekulli IV pk dhe përfundojnë gjatë kohës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës (1813-1821). Brenda sipërfaqes prej 9.6 ha të kalasë ndodhen disa kisha, një pjesë e të cilave rrënojë, sarajet turke, rrënojat e dy xhamive, sternat e ujit të quajtura saranxha, sheshi i Sallabandës, sheshi i quajtur fusha e madhe etj. Ndërkohë që pjesën më të madhe të këtij oborrit të brendshëm e zënë një sërë rrugicash, kopshtesh dhe shtëpi banimi të cilat përbëjnë lagjen e quajtur “Kala”.








































