Google search engine
Home Aktualitet Ledia Sulaj: Sfida jonë më e madhe të ruajmë origjinalitetin e çdo...

Ledia Sulaj: Sfida jonë më e madhe të ruajmë origjinalitetin e çdo vlere kombëtare, e motiveve folklorike dhe të detajeve të veshjes

0
222

Krijimtaria e dy emrave të mëdhenj të artit tonë Panajot Kanaçi dhe Tish Daija erdhi në dy mbrëmje me radhë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Për publikun u risollën veprat e këtyre dy autorëve nën interpretimin e artistëve të operës dhe baletit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. “Magjistari i valles shqiptare”- Panajot Kanaçi dhe “Kompozitori që ndezi flakën në dëborë” – Tish Daija- “Nderi i Kombit” u mirëpritën nga publiku, ku solistja Ledia Sulaj erdhi në skenë me personazhin e Hajries te suita e baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, por dhe si Shota nga vepra e baletit “Shota dhe Azem Galica”. Ishte 13 janari i vitit 1963, kur kompozitori Tish Daija, baletmaestri Panajot Kanaçi, dirigjenti Mustafa Krantja e një suitë e tërë artistësh, vunë në skenë baletin “Halili dhe Hajria”. Solistja thotë se të kërcente pjesën kryesore të baletit të parë shqiptar ndër të tjera ishte dhe përgjegjësi. “Unë isha me personazhin e Hajries dhe është një nder i madh dhe përgjegjësi në vazhdimin e motiveve tradicionale, madje duke i shtuar me shumë kualitet. Të kërcej pjesën kryesore të baletit të parë shqiptar pa dyshim që është një ndjesi e mrekullueshme, ku tashmë ndihet dhe kontributi im për të ardhmen e baletit”, thotë Sulaj, soliste e vlerësuar në aktivitetin artistik prej vitesh. Baleti “Shota dhe Azem Galica” premiera e të cilit u shfaq më 11.12. 1982 ishte vepër me kompozitor Nikolla Zoraqi, libreti Dritëro Agolli, dirigjent Rifat Teqja dhe baletmaestër Panajot Kanaçi. Solistja Sulaj erdhi në skenë si Shota dhe pohon se është personazhi i preferuar. “E kam kërcyer në fillimet e mia para 15 vitesh. Por tani e kuptoj akoma më shumë rëndësinë e figurës së saj si personazh dhe si teknikë. Pjesa kërcyese ka një teknikë të lartë, ka temperament të fortë dhe energji për të ecur përpara dhe për të sjellë lirinë. Ka një muzikë fantastike dhe të ngre peshë në çdo moment të sajin”, thotë ajo.

 Rëndësia e krijimtarisë

Dy koncerte që u zhvilluan në TKOBAP risollën dhe njëherë atë krijimtari të pasur të dy mjeshtrave shqiptarë Tish Daija dhe Panajot Kanaçi, ku kishte një përzgjedhje me veprat që kanë shënuar sukses në skenë. Solistja Ledia Sulaj thotë se nuk i përket brezit të “Nderit të Kombit” Panajot Kanaçi, por është e lumtur që veprat e tij po kalojnë dhe nga trupi i saj dhe performanca e saj për t’ia lënë brezave të rinj. “Pa dyshim është një figurë e pa zëvendësueshme dhe ka formuar një pjesë të madhe të folkut shqiptar, e cila duhet ruajtur si me pekule. Kam pasur nderin gjithashtu të punoj me pasardhësit e tij si Rexhep Çeliku, Argon Aliaj dhe për këtë ndihem e bekuar”, thotë ajo. Por solistja Ledia Sulaj jep dhe mesazhe për të ruajtur veprat tona shqiptare. “Padyshim që sfida jonë më e madhe është të ruajmë origjinalitetin e çdo vlere kombëtare, e motiveve folklorike dhe të detajeve të veshjes. Përndryshe nuk do quhej art, por diçka e sajuar për tu bërë modern me patjetër”, thotë ajo. “Magjistari i valles shqiptare”- Panajot Kanaçi dhe “Kompozitori që ndezi flakën në dëborë” – Tish Daija- “Nderi i Kombit” ishin koncertet e para këtë vit në TKOBAP.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here