Zbardhen të dhënat, ja sa të punësuar ka në administratën publike, ndarja sipas ministrive dhe planet për të fryrë institucionet gjatë 2022

0
325

“Open Data Albania”, përmes një raporti ka hedhur dritë mbi numrin personave që punojnë në institucionet shtetërore shqiptare. Sipas raportit, në vitin 2022 në Institucionet Drejtpërdrejt Buxhetore, është parashikuar numër punonjësish buxhetor 84 214. Janë 450 më shumë të punësuar se në 2021. Të punësuar në institucione buxhetore përfshijnë vetëm institucionet, në të cilat kostot e punonjësve mbulohen me fondet e Buxhetit të Shtetit. Nuk përfshihen: Banka Qëndrore, apo struktura të tjera të sektorit publik si ndërmarrje shtetërore financiare dhe jo-financiare, Fonde Speciale apo dhe struktura të tjera ekstrabuxhetore që varen nga të ardhurat e veta. Në vitin 2022 rezultojnë 65 institucione buxhetore të cilat përfaqësojnë institucionet publike, si: Presidenca, Parlamenti, Qeveria, Sistemi i Drejtësisë dhe Gjykata Kushtetuese. Si pjesë e Qeverisë janë: Kryeministria, 11 ministri dhe institucione të tjera qeveritare. Të punësuarit në ministritë pa portofol përfshihen në aparatin kryeministror, të tilla janë katër: Ministër i Shtetit për Standardet e Shërbimeve; Ministër i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët; Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Tre institucione të reja planifikojnë staf dhe kosto buxhetore në 2022. Konkretisht Agjencia Kombëtare e Rinisë me 20 persona staf; Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës e cila planifikohet të ketë 73 persona të punësuar dhe Agjencinë për Media dhe Informim me 69 punonjës buxhetor.

Ndarja sipas ministrive

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka numrin më të lartë të punësuar, përkatësisht 37% të të punësuarve në institucione buxhetore ose 30 990. Në vendin e dytë Ministria e Brendshme me 15 109 punonjës ose 18% të të punësuarve buxhetore. Ndër programet kryesorë të këtij institucioni është ofrimi i shërbimit policor. Pasohet nga Ministria e Mbrojtjes me 8 863 të punësuar ose 11% e totalit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë planifikon 5 983 të punësuar ose 7% të totalit. Ministria e Drejtësisë rezulton pothuaj në të njëjtat pozita si ajo e financave me mbi 5 mijë të punësuar ose 6% të totalit. Vijojnë me më pak se 5 mijë të punësuar, Ministria e Shëndetësisë me 4 313, Ministria e Bujqësisë me 2 417 të punësuar. Në krahasim me vitin buxhetor 2021, në 2022 institucionet me rritjen më të lartë në numrin e të punësuarve janë institucionet e drejtësisë.

Pagat

Sipas raportit, nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë paga mesatare e një buxhetori, pagë e deklaruar rezulton 74 931 Lekë. Fondi i pagave të cilin po marrim si referencë përfshinë pagën e deklaruar duke përfshirë edhe vjetërsi në punë apo pagesa sipas kontributeve specifike. “Paga mesatare mujore në SPAK përllogaritet rreth 241 000 Lekë, në institucione drejtësie si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit; Kolegji i Posaçëm i Apelimit; Komisioneri Publik dhe Zyra e Inspektorit te Larte te Drejtësisë paga mesatare mujore shkon rreth 190 000 lekë, Pasohen nga Gjykata Kushtetuese dhe Prokuroria e Përgjithshme mesatarisht rreth 150 000 lekë në muaj pagë. Pas strukturave të drejtësisë renditet KLSH, Kuvendi, Kryeministria, Komisioni i Prokurimeve Publike, Presidenca, Këshilli i Kontabilitetit me paga mesatare institucionale mujore mbi 100 mijë lekë. Ndërsa institucionet më paga mesatarisht më të ulëta janë në Ministritë e Drejtësisë, Shëndetësisë, Kulturës, Bujqësisë dhe e fundit Ministria e Mbrojtjes me më pak se 64 000 lek në muaj pagë mesatare”, shprehet “Open Data”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here