Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, nga qendrat muzeore më të rëndësishme

0
387

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë është një vend që ngjall interesin e vizitorëve. Institucioni shkruan se këtu është një eksperiencë magjepsëse. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një vend mes modernes e të vjetrës, i cili brenda ambientit të tij bashkëkohor, mban ende të gjallë frymën bizantine. I ndërtuar në vitin 1980 dhe rindërtuar në 2016-ën, ai shtrihet përgjatë bulevardit “Fan Noli”. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij që ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, janë kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shek. XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit. Ky është një muze i veçantë për sa i përket dhe numrit të madh të mjeshtërve, autorëve të ikonave (rreth 10 mjeshtër të ikonografisë). Në godinën e re të muzeut janë ekspozuar rreth 400 ikona nga të cilat 250 ikona i prezantohen publikut për herë të parë. Mënyra e ekspozimit vjen në një frymë bashkëkohore me një rend kronologjik të zhvillimit të mjeshtërisë ikonografike në Shqipëri. Prezantimi i trashëgimisë së artit mesjetar të rikthen në gjenezën e mistikes dhe ritualeve të shenjta. Eksponatet dhe fondet e pasura të tij përbëhen nga objekte historike, kulturore e artistike të periudhës mesjetare, që lidhen kryesisht me trashëgiminë e krishterë bizantine dhe pasbizantine. Ikonat, objektet prej guri, koleksioni i objekteve prej metalesh të çmuara, druri të gdhendur, tekstili, letre, etj, janë shembuj të një pasurie e larmie vlerash të paçmuara. Muzeu në Korçë herë pas here bën me dije dhe punën që bëhet për restaurimin e ikonave. Ditët e fundit muzeu shprehej se është në proces restaurimi ikona e Shën Gjergjit , vepër e autorit Tërpo Zografi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here