Google search engine
Home Sport Kaçe firmos për Verian në ligën e dytë greke, Strakosha refuzon rinovimin...

Kaçe firmos për Verian në ligën e dytë greke, Strakosha refuzon rinovimin me Lacion

0
171

Merkato e dimrit nuk kishte si të mos vinte në thelbin e saj në Shqipëri mesfushorin Ergys Kaçe. Kjo pasi pjesa e parë e sezonit për të në gjirin e Partizanit ishte dështim i plotë. Shumë pak minuta të luajtura, pak veprime cilësore në fushë me skuadrën dhe asnjë konkretizim, duke bërë që pakënaqësia tek klubi i kuq të ishte maksimale. Kjo e vuri Kaçen nën presion dhe në pozitat e largimit, ku klubi haptazi i kërkoi të ndërprisnin me mirëkuptim kontratën. Por mesfushori nuk pranonte dhe në këto rrethana rriti “pazarin”, duke bërë që Partizani të paguajë shifra të majme për ta lënë të lirë. Tashmë Kaçe është kthyer në Greqi, një kampionat ku ai e njeh dhe e njohin, e dje ka firmosur për Verian, skuadër që luan në ligën e dytë. Nga ana tjetër, lajmi ka edhe për portierin Thomas Strakosha, i cili duket se ka refuzuar rinovimin dhe po pret qershorin që të dalë si lojtar i lirë. Kjo për shkak se Strakosha ka marrë interesimin e shumë klubeve në top-ligat europiane.

Kaçe firmos për Verian në Greqi

Mesfushori Ergys Kaçe pritet ta vijojë karrierën e tij në ligën e dytë greke. Pasi mbylli marrëveshjen me skuadrën e Partizanit, ish-futbollisti kuqezi do të luajë për pjesën e mbetur të edicionit me skuadrën e Verias. 28-vjeçari u aktivizua në 13 ndeshje në gjysmën e parë të edicionit me ekipin e Partizanit, por nuk mundi që të shënonte asnjë gol, teksa ishte larg pritshmërive të drejtuesve që kërkuan ndërprerjen e bashkëpunimit, me palët që gjetën gjuhën e përbashkët. Veria ndodhet aktualisht në vendin e parë në ligën e dytë greke, ku kanë marrë 36 pikë në 15 ndeshje, tre më shumë se Larisa e cila ndodhet në vendin e dytë me një ndeshje më shumë. Kaçe pritet që të ndihmojë skuadrën në pjesën e mbetur të edicionit për të siguruar ngjitjen në elitën e futbollit grek. Kaçe e njeh mirë futbollin helen, pasi në të shkuarën ka qenë pjesë Aris, Larisa, Panathinaikos, Anagenisi, ndërsa është angazhuar dhe me Viktoria Plzen në kampionatin çek. Kaçe numëron dhe 25 ndeshje me fanellën e kombëtares së Shqipërisë, ku ka shënuar dhe 2 gola, ndër të cilët dhe ai realizim në miqësoren me Francës në vitin 2015, në “Elbasan Arena”.

Portieri/ Strakosha nuk rinovon, në qershor largohet nga Lacio

Thomas Strakosha po largohet nga Lacio dhe po shqyrton që tani mundësitë e reja. Pra lëvizja në verë është e mundur plotësisht. Në ditët e fundit klubi që ka qenë më i interesuar për portierin shqiptar është Uotfordi. Sipas “Sportmediaset”, kontaktet kanë nisur dhe po ecin mirë pasi oferta në tavolinë është tërheqëse ekonomikisht. Shumë nga zgjedhja e Strakoshës do të varet nga qëndrimi apo jo i “Bletëve” në Premier Ligë. Nëse Uotfordi bie në Championship, Strakosha nuk do ta pranonte domosdoshmërisht destinacionin. Lajmi, megjithatë, që duhet të regjistrohet, është ai se Strakosha mund të largohet nga kryeqyteti falas, çka do të jetë një tjetër goditje për arkën e klubit. Vetëm 27 vjeç, shqiptari mbetet një trashëgimi teknike dhe ekonomike nga e cila Lacio nuk diti të përfitojë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here