Filarmonia e Tiranës do të zhvillojë koncertin e parë më datë 11 shkurt. Koncerti do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, dhe vjen me një program të pasur muzikor për publikun. Filarmonia po zhvillon provat këto ditë për koncertin dhe me aktivitetin e saj tashmë bëhet pjesë e jetës artistike në Tiranë. Programi muzikor përfshin vepra nga autorët Franc Schubert, Antonio Vivaldi, Fritz Kreisler, Gabriel Faure, Pugani-Kreisler dhe Johannes Brahms. Për krijimin e Filarmonisë së Tiranës u zhvilluan audicione më parë dhe kryetar jurie ishte dirigjenti francez Jean Michel Farran, që është njëherësh dhe drejtor artistik i saj. Koncerti pas disa ditësh zhvillohet për themelimin e Filarmonisë së Tiranës. Drejtues i Filarmonisë së Tiranës Arben Skënderi shprehet se projekti Filarmonia e Tiranës u konceptua të jetë një nga nismat e rëndësishme me karakter artistik, por ndërkohë edhe të një shprese të re, për të krijuar një mundësi të angazhimit të artistëve të rinj të fushës së interpretimit muzikor në jetën kulturore të kryeqytetit. “Filarmonia e Tiranës, një orkestër e përmasave mesatare 35-40 të rinj artistë të viteve të fundit të studimeve pranë Fakultetit të Muzikës së Universitetit të Arteve si dhe të diplomuar të papunësuar ende në sektorët kulturorë apo arsimorë në vend. Kësaj orkestre, e për rrjedhojë të rinjve anëtarë të saj, do t’u krijohet mundësia që çdo koncert projekt i saj të realizohet në bashkëpunim me solistë e dirigjentë të njohur ndërkombëtarë, me qëllim që përveç përvojave me artistë ndërkombëtarë, të kenë mundësinë të ndërveprojnë, duke ofruar një imazh të shkollës shqiptare të interpretimit muzikor dhe arritjeve të saj, si edhe një imazh të një kryeqyteti evropian”, shprehet ai.
Aktiviteti i Filarmonisë
Bashkia e Tiranës, me aktivitetet që mbështet në fushën e kulturës dhe të arteve, krijoi një terren të përshtatshëm për të pritur edhe një propozim për ringritjen, apo sistemimin e një strukture artistike të produksionit muzikor të formatit të Filarmonisë së kryeqytetit. Ky terren bëhet dhe më atraktiv për të hapur një faqe të re në angazhimin e të rinjve artistë, në jetën e gjallë kulturore të Tiranës, në bashkëprodhime me artistë solistë e dirigjentë ndërkombëtarë. Drejtori i Filarmonisë së Tiranës Arben Skënderi vijon se elementi i bashkëprodhimit artistik do të ishte edhe një mundësi më shumë për të ofruar modele të suksesshme të përfshirjes së të rinjve të talentuar të kryeqytetit, si dëshmitarë të edukimit dhe shpërndarjes së kulturës dhe edukimit artistik në komunitetet e kryeqytetit. Organizatorët e mendojnë organizimin e aktivitetit të Filarmonisë me kadenca njëmujore, pra minimalisht 12 koncerte vjetore, me një metodologji pune praprakisht në grupe dhe orar të ngjeshur, për të vijuar më tej me të gjithë formacionin orkestral dhe dirigjentin/en dhe solistin/en e ftuar.









































