Google search engine
Home Aktualitet Vrasja e Ergys Dashit në Ekuador dyshohet e orkestruar nga serbët, përplasje...

Vrasja e Ergys Dashit në Ekuador dyshohet e orkestruar nga serbët, përplasje mes bandave për tregun e kokainës

0
180

Ergys Dashi u ekzekutua mbrëmjen e 22 janarit në qytetin Guayaquil të Ekuadorit, por ende nuk ka asnjë person të arrestuar apo identifikuar për vrasjen e tij. Ditën e djeshme në mediat serbe ka dalë një pistë për vrasjen e Dashit. Sipas asaj që shkruhet në mediat e Serbisë autor i dyshuar është kreu i klanit Kavaç, Radoje Zvicer. Mendohet se klani shqiptar dhe ai serb bashkëpunonin me njëri-tjetrin deri sa një ngjarje e ndodhur pak kohë më parë, i prishi raportet mes tyre. Në mediat e Serbisë shkruhet se konflikti mes dy grupeve nisi pas kapjes së një ngarkese të madhe me kokainë në pronësi të klanit “Kavaç”. Shqiptarët bashkëpunuan me policinë dhe çuan në kapjen dhe sekuestrimin e kokainës në pronësi të serbëve. Kjo ngjarje bëri që Radoje Zvicer të niste hakmarrjen ndaj bandës së shqiptarëve. Radoje Zvicer është një emër i njohur për autoritetet serbe dhe është shpallur në kërkim nga këto të fundit. Shkak i shpalljes në kërkim të Zvicer është një atentat që ai do t’i bënte presidentit serb, Aleksander Vuçic. Që nga shkurti i vitit 2021, Zvicer ndodhet në arrati pas arrestimit të disa bashkëpunëtorëve të tij. Pas arrestimeve të shumta në Serbi dhe Mal të Zi dhe liderit i cili ndodhet në arrati, klani Kavaç e humbi disi fuqinë e tij në tregun e kokainës. Në lidhje me konfliktet e lindura mes klaneve shqiptare dhe atyre serbe e malazeze, ka folur dhe Marko Nicoviç, ish-shef i policisë së Beogradit. Ai u shpreh se këta klane kanë interesa të përbashkëta, çka do të çojë në sheshimin e konflikteve. Nicoviç tha se fakti që policët e doganave në Shqipëri dhe Mal të Zi janë të keqpaguar, u lehtëson punën trafikantëve për korruptimin e tyre dhe trafikimin e kokainës nëpërmjet porteve të dy vendeve. “Doganierët dhe policët në portet shqiptare dhe malazeze paguhen keq, ndaj nuk është e vështirë t’i korruptosh, prandaj janë idealë për kontrabandë. Aktualisht ka konflikte mes dy klaneve, por unë mendoj se ata do të gjejnë një gjuhë të përbashkët sepse po u hapet rruga për shkak të forcave policore të pajisura keq”, u shpreh ish-shefi i policisë së Beogradit. Sa i përket shqiptarit Ergys Dashi, ai ishte një lidhje mes mafias shqiptare më atë ruse dhe ballkanase.

Vrasja e Dashit

Ergys Dashi 34 vjeç ka mbetur i vrarë mbrëmjen e 22 janarit në zonën veriore të qytetit të Guayaquil në Ekuador. Viktima ishte në restorantin Grilling, në rrugën José Joaquín Orrantia, në kohën që dy persona hynë në restorant, njëri prej të cilëve mbante në duar një buqetë me lule për mos t’u identifikuar nga kamerat e sigurisë. Të dy personat që hynë në lokal u janë shmangur punonjësve të restorantit, që u kanë kërkuar kartën e vaksinimit. Ekspertët e kriminalistikës në vendngjarje gjetën mbi 20 gëzhoja fishekësh, të markës Fame, tip 9×19. Pasi vranë Ergys Dashin, autorët duke u larguar kanë qëlluar sërish në ambientet e restorantit. Viktima ka qenë i arrestuar dhe më parë për trafik droge, në vitin 2014 në Itali. Sipas asaj që shkruanin mediat italiane 34-vjeçari, ishte kreu i organizatës që trafikonte lëndë narkotike të llojit heroinë. Përveç Ergys Dashit, në Ekuador janë vrarë dhe disa shqiptarë të tjerë më parë, si Adriatik Tresa apo Fadil Kaçaniç, për të njëjtën arsye, prishja e pazareve të drogës. Pak ditë më parë mediat e Ekuadorit i kushtuan disa artikuj faktit se si shqiptarët kanë marrë në dorëzim tregun e kokainës në shtetin amerikano-latin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here