Zgjedhjet për presidentin e FSHF-së ë do të mbahen në asamblenë e radhës të futbollit do të regjistrojnë edhe një herë tjetër votimin e njeriut që ka plot dy dekada në krye të futbollit tonë, Armand Dukës, njeriut që kërkon mandat të gjashtë si askush tjetër në planet. Ndërkohë, zgjedhjet në shoqatat rajonale vazhdojnë, me polemika, tensione e ç’është më e keqja një farsë e vërtetë ku votohen “ushtarët” e Dukës dhe kukullat që pinë ujë nga rubineti i bosit të FSHF-së. Kështu, në Shkodër dje pati zgjedhje për Shoqatën Rajonale të Futbollit, ku kandidati Kujtim Shaba pati përballë kandidatin tjetër Lazer Matija. Hapjen e punimeve e bëri Fatbardh Jera, Anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së dhe me pas një fjalim mbajti Kryetari aktual i Shoqatës në mbyllje të mandatit Armando Cungu. Mbledhja po vijon me dyer të mbyllura, siç ka ndodhur edhe në Zgjedhjet e Shoqatave të Futbollit të qyteteve të tjera. Dhe pas shumë tensionesh e debatesh është mbyllur dje procesi në Shkodër. Kryetar i Shoqatës së Futbollit Rajonal në Shkodër zgjidhet Lazer Matija. Për Lazer Matinë shkuan 15 vota, ndërsa për kandidatin tjetër Kujtim Shaba 8 vota. Ky proces si në çdo qytet tjetër u mbajt pa praninë e mediave. Por mungesa e medias në proces, por edhe debatet e nxehta, pa harruar edhe tensionet që kanë shoqëruar jo vetëm zgjedhjet e kësaj shoqate rajonale, janë dëshmi se ky është një proces farsë i kreut të FSHF-së, Armand Duka, i cili po përzgjedh si kandidatë për asamblenë e marsit në FSHF “kukullat” dhe “ushtarët” e tij të bindur, të cilët janë votë e garantuar për Enverin e futbollit. Nuk është çështja tek emrat, por fenomeni, i cili kontrollohet nga Duka dhe të besuarit e tij në komitet e në federatë.
Absurdi/ Në federatën italiane zbarkon “Guardia di Finanza”, kurse Duka s’do kontrolle
Ndërkohë që Duka nuk pranon asnjë lloj ndërhyrje, duke e quajtur ndërhyrje politike në zgjedhjet e FSHF-së dhe nxiton të alarmojë botën se këtu bëhet nami, në rajon është një vend i zhvilluar që nuk të lë të livadhisësh si këtu. Italia është ndryshe. Edhe atje futbolli është i pavarur dhe nuk ka ndërhyrje politike, por ama prokuroria ndërhyn menjëherë sapo konstaton shkelje, qoftë dhe për dyshime në federimin e futbollistëve të disa klubeve të njohura. Kështu, mësohet se kanë rifilluar kërkimet nga njësia e policisë ekonomike dhe financiare të “Guardia di Finanzia”-s të Milanos në zyrat e “Covisoc” në selinë e Federatës Italiane të Futbollit në Romë, si pjesë e hetimit nga prokurori i Milanos që heton fitimet kapitale të Interit. Sipas “Repubblica.it”, është marrë raporti për 62 transferime të dyshimta të klubit zikaltër që kanë të bëjnë edhe me Juventusin e Napolin, midis viteve 2019 dhe 2021. Siç shihet, në Itali s’pyet kush çfarë je president apo sekretar federate, por hetohen të gjithë, kurse këtu askush nuk di sa lekë hyjnë, ku shkojnë e si përfundojnë milionat që vijnë nga Europa. Një errësirë e plotë në FSHF, që komandohet me dorë të hekurt nga Duka, i cili në zgjedhjet e marsit do të kërkojë një mandat të gjashtë në krye të federatës, si asnjë koleg tjetër në Europë e ndoshta dhe në botë.









































