Shfaqja “Coriolanus” rikthehet këtë fundjavë në skenë te “ArTurbina”. Teatri Kombëtar bën me dije se vepra nga Shekspiri do të jetë tre mbrëmje me radhë. “Një super produksion i Teatrit Kombëtar rikthehet këtë fundjavë në skenë, “Coriolanus” nga William Shakespeare, regjisor Altin Basha. 10, 11, 12 dhe 13 shkurt, ora 19:00, salla e madhe “ArTurbina””, njofton institucioni. Ndërkohë TK ka shënim se të gjithë spektatorët që posedojnë biletë (të padëmtuar) të datave 13-14-15-16 dhe 30 janar, mund ta konvertojnë atë për një nga datat e reja të produksionit “Coriolanus”. “Gjithashtu, rimbursimi i biletave (të padëmtuara) vijon pranë biletarisë tonë te “ArTurbina””, thuhet ndër të tjera nga TK. “Coriolanus” është bazuar mbi një histori të vërtetë, e cila gjendet në shkrimet e Plutarkut (“Jetë paralele”). Asgjë thelbësore nuk është ndryshuar, por gjenialiteti qëndron tek fakti se përtej historisë, Shekspiri ngre një monument arti me dialogjet, personazhet dhe çështjet që shënjestrohen në këtë tragjedi. Në një material të publikuar më parë nga teatri, thuhej se ai na ngjall para syve Romën aq antike, komplekse dhe moderne në të njëjtën kohë. “Vepra ndodh në fillimet e Republikës së Romës. Destabiliteti i vazhdueshëm politik, shpërthimet e papritura të dhunës, rrënimi i pushtetit popullor, manipulimi i turmave, kurthet politike në parlament, ekstremizmi demokratik, pushteti autokratik dhe përdorimi i tij, janë dekori në të cilin ndodh tragjedia e Kaj Marcit (Coriolanus). Fisnikëria e këtij heroi betejash mposhtet nga mungesa e aftësisë për të kuptuar makinacionet e politikës…”, thuhej nga TK. Në rolet e veprës janë Gazmend Gjoka, Helidon Fino, Luiza Xhuvani, Viktor Zhusti, Elia Zaharia, Genci Fuga, Hervin Çuli, Dritan Boriçi, Florian Agalliu, Arben Derhemi, Besmir Bitraku, Myzafer Zilfa, Genti Deçka, Erjona Kakeli, Xhuliano Brisku, Donald Shehu, Doriana Çaushi, Gjergj Mena, Urim Aliaj, Ermir Hoxhaj, Griseld Kapllanaj, Juxhin Plovishti, Bujar Hoxhaj, etj.









































