Google search engine
Home Politike Spartak Braho: Shtatorja e Geraldinës turp dhe njollë e madhe, pse Meta...

Spartak Braho: Shtatorja e Geraldinës turp dhe njollë e madhe, pse Meta shkoi te kazani i Saliut dhe angazhimi i Dakos në zgjedhje

0
164

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho ka reaguar ashpër, ndërsa e ka cilësuar si turp dhe njollë të madhe vendosjen e shtatores së mbretëreshës Geraldinë në Tiranë. Më 1 shkurt të këtij viti u mbaj në Tiranë një ceremoni e posaçme, teksa u përurua statuja e mbretëreshës Geraldinë, një bashkëpunim i Bashkisë Tiranë me Ambasadën Hungareze. Por inaugurimi dhe vendosja e kësaj shtatore në kryeqytet, ka ngjallur reagimin e ashpër të ish-deputetit Braho. Ky i fundit tha dje për gazetën, theksoi se gruaja e Zogut nuk ka pasur ndonjë vlerë dhe kontribut në Shqipëri, kështu që sipas tij, t’i ngresh asaj një shtatore është çmenduri. “Busti mbretëreshës Geraldinë, një gjest tërësisht i pa justifikuar nga çdo pikëpamje, një akt servilizmi i legalistëve tanë fallco në bashki e qeveri, se kujtojnë se ky afrim e përkujtim evokon edhe “origjinën” e tyre mbretërore me mbretin se na paska kaluar me taksi në Mbrezhdan të Beratit. Për cilat vlera? Se ishte me origjinë nga trëndafilat e Budapestit? Qesharake! Kështu na do dhe ultra nacionalisti Orban, kryeministri problematik i Europës. Se edhe vetë Geraldina, si gruaja e dytë e turkoshakut injorant nga Burgajeti, Ahmet Zogolli, të cilin e sollën Vrangeli dhe Pashuci në Tiranë me mercenarë, nuk do ta pranonte këtë nder, se siç thoshte e shkreta kishin humbur për një vit në Shqipëri dhjetra lugë, thika e pirunj nga pasuria, se 170 baulet e karvanit të turpit me florinj nuk i kujtoheshin fare të shkretës”, deklaroi ai.

Ahmet Zogu vrau patriotët shqiptarë

Duke vijuar më tej me argumentet e tij se vendosja e shtatores së mbretëreshës Geraldinë është një skandal, ish-deputeti socialist, Spartak Braho hodhi akuza të forta në adresë të mbretit Zog. Sipas tij, Ahmet Zogu ishte i pabesë dhe i ka duart e lyera me gjak pasi ka vrarë me dhjetëra patriotë. Madje zoti Braho akuzoi Zogun se ishte një intrigat. “Nuk i kujtoheshin as Luigj Gurakuqi, Avni Rustemi, Ali Tabaku, Bajram Curri, Riza Cerova e shumë të tjerë të vrarë nëpërmjet dorës së burrit të saj të parë intrigant e vrasës. Ja këta janë pushtetarët tanë të ngjashëm me halucinacionet e plakën Nurihan të Kadaresë. Turp dhe njollë të madhe i kanë hedhur vetes, ndërkohë që nuk e dinë se ja vlen të përkujtohet edhe me shtatore figura e arbërores së madhe Donika Kastrioti, gruaja e Gjergj Kastriotit, që prehet si princeshë në manastirin mbretëror në Valencia të Spanjës”, u shpreh ai.

Ja pse Meta shkoi te kazani i Berishës

Megjithatë vendosja e shtatores së gruas së Zogut, nuk ishte e vetmja çështje për të cilën ka folur ish-deputeti i PS, Spartak Braho. Ky i fundit ka komentuar dje edhe koalicionin mes Grupit të Rithemelimit të Sali Berishës dhe LSI, “Shtëpia e Lirisë”. Sipas Brahos, Meta nuk është një personazh publik serioz, teksa del kërcen dhe këndon në rrjetet sociale. Ndër të tjera Braho shtoi se në këtë koalicion ka gjetur tenxherja kapakun. “Meta del kërcen, këndon, ia merr valles nuk është njeri serioz. Koalicionin e prisja sepse tenxherja gjeti kapakun. Ky ishte degradimi politik i Metës, një linjë që ai ka kohë që e ka shfaqur dhe arsyet janë të shumta. Ende nuk ka dalë realisht pse përfaqësuesi i hershëm i PS, drejtues i FRESSH, përfundoi në kazanin e Sali Berishës”, tha ai. Ndërkohë sa i takon ish-kryeministrit Berisha, Braho e ka konsideruar atë kriminel dhe sipas tij për këtë ka fakte. “Politika është arti i të shtirurit. Janë demagogë. Duhet të jetë e kundërta sepse politika duhet të jetë arti i të qeverisurit. Për Berishën kam thënë që është kriminel. Është e rëndë si akuzë, por është reale sepse është e mbështetur në fakte dhe akuza. Ka vrarë njerëz dhe është fajtor për dëme ekonomike. Por edhe Basha është mëkatar”, shtoi ai.

Shkatërrimi i Velierës në Durrës

Por përveç Metës dhe Berishës, ish-deputeti Braho ka hedhur edhe akuza të forta në adresë të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, që sipas tij, është përgjegjës për shkatërrimin e qytetit dhe vjedhjen e pasurisë publike. Madje deputeti socialist theksoi se Veliera në Durrës rrezikon të shembet dhe është kthyer në kërcënim për qytetarët. “Veliera e Vangjush Dakos në zemër të Durrësit, është e ngjashme me kalanë Rozafa në Shkodër, që tani rrezikon të bjerë. Fillimisht u planifikua kjo neo sajesë biçim “vepër arti”, 6 milionë euro. U shtuan vjet edhe 2 milionë të tjera. Por një grup ekspertesh nuk japin garanci se do qëndrojë në këmbë, ndaj tani nga bullonimi kanë kaluar në saldime përforcuese, duke mos paraqitur garanci, por rrezikshmëri për kalimtarët dhe mjetet që kalojnë nën të e mbi të. Shembja e pritshme e saj është një tjetër skandal i qeverisjes kleptokrate të Dakos”, nënvizoi Braho.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here