Komedia e suksesshme “Hamami i grave” për tre mbrëmje me radhë do të jetë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi”, në qytetin e Korçës. Një shfaqje me regji nga Kiço Londo, që ka pasur sukses në skena të ndryshme deri tani, ngjitet në skenën e Korçës në datat 9, 10 dhe 11 shkurt. Çfarë ndodh kur shemben vendet e shenjta? Gjashtë gra të traumatizuara nga jeta e tyre e përditshme takohen në një hamam për t’u çliruar nga dhembjet fizike e shpirtërore, derisa “papritur” vjen lajmi që ky vend relaksi, hamami ku gjejnë shpëtimin e shpirtit të tyre, duhet të prishet dhe të shndërrohet në një bibliotekë. Teatri Shëtitës Çajupi e nisi aktivitetin artistik këtë vit me komedinë brilante “Hamami i grave” në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe tani do të jetë në Korçë. Komedia nga Nell Dunn , që është me regji nga Kiço Londo vjen e përkthyer nga Artur Lena. “Hamami grave” është një komedi e jashtëzakonshme, që i afrohet anës optimiste të jetës përmes historisë së disa femrave, secila prej të cilave ndihet e vetmuar dhe e dhunuar. Shfaqja flet me guxim, butësi dhe me humor për ecurinë e botës madhështore të femrës. Në materialin rreth shfaqjes thuhet se është një vepër e vështirë, e egër, realiste, njerëzore, e ndjeshme, e butë dhe humor, që zhyten në vendet e shenjta të shpirtit femëror. “Hamami duket si një mitër, ku heroinat mund të jenë të sigurta, të shijojnë çdo minutë relaksimi dhe pushimi, të vetëidentifikohen dhe të kuptojnë realitetin e ashpër. Teatri Shëtitës shndërrohet në një hamam të dobishëm dhe figura femërore, që vetë-ilustrohen”, thuhet për shfaqjen. Një instalim i “rrënuar” i banjës turke në një rreth të Londrës, është vendi i relaksimit, pushimit dhe takimit për shtatë gra të vetmuara të moshave, nivelit shoqëror, ekonomik dhe arsimor të ndryshme. Pas dyerve të mbyllura dhe brenda mureve të lagura të hamamit, secila shkarkon mendime, ankthe, gëzime, ëndrra, zhgënjime, aventura në një mënyrë retorike. Ato janë të mërzitura me lajmet kërcënuese për prishjen e vendit të tyre të preferuar dhe krijimin e një biblioteke komunale dhe më pas ato kthehen të bashkuara dhe të vendosura kundër shtypjes së pushtetit lokal për shpëtimin e hamamit. Lufta e tyre e përbashkët kurorëzohet efektive, me armët e tyre të vetme vërtetësinë e ndjenjave dhe solidaritetin e tyre.
Aktoret dhe shfaqja
“Hamami i grave” me regji nga Kiç Londo, që do të jetë në teatrin e Korçës është një himn për fuqinë e miqësisë dhe solidaritetit të grave. Vepra deri tani është mirëpritur nga publiku, gjë që e bën me dije dhe vetë regjisori Kiço Londo. “Në Durrës shfaqja u prit shumë mirë”, thotë ai. Por më parë në reagimet e tij regjisori Londo është shprehur mes të tjerave se shfaqja ka një qëllim, ku sipas tij vepra do ti flasë shpresës. “Në fakt ajo që mua më shqetëson më shumë është vrasja e shpresës…..Mendoj që vepra jonë do t’i flasë shpresës”, ka pohuar Londo. Në role janë Albana Koçaj, Esela Pysqyli, Adriana Tolka, Linda Jarani, Ola Harizaj, Dajana Nenaj, Aiola Laska dhe Elios Shuli. “Hamami i grave” është streha e tyre në një botë që vlon. Fjalët e tyre janë si monologje, sikur flasin me veten e tyre dhe po përpiqen të kuptojnë pozicionin e tyre. Burrat mungojnë, por ata janë të gjithëpranishëm në çdo rrëfim. Një botë e vështirë i pret jashtë hamamit me të gjitha llojet e shtypjes, dhunës dhe skllavërimit.






































