Bledi Shkëmbi e kishte paralajmëruar largimin nga Dinamo pas humbjes së rëndë ndaj Kastriotit (2-0), ndërkohë që dje erdhi edhe zyrtarisht konfirmimi i lëvizjes, ku jo vetëm Shkëmbi u tërhoq, por në vend të tij është emëruar zëvendëstrajneri, Bledar Devolli. Gjithçka është mbyllur me mirëkuptim mes palëve. Në të vërtetë lëvizja u diktua nga një mori rezultatesh të dobëta në kampionat, ku blutë ndodhen në grupin e skuadrave të fundtabelës e rrezikojnë rënien. Për të sjellë një ndryshim menduan palët me mirëkuptim, duke shpresuar se situata do të ndryshojë me Devollin. Edhe pas lëvizjeve që u bënë në merkaton e dimrit, Dinamo nuk arriti të futej në shinat e duhura. Shkëmbi e drejtoi Dinamon në 19 ndeshje dhe grumbulloi 19 pikë, duke mbetur larg objektivave të nisjes së sezonit. Me 1 pikë për ndeshje, koefiçient i dobët, është mjaft e vështirë mbijetesa.
Qëndrimi i presidencës së klubit
Presidenti i klubit dinamkovit, Adrian Bardhi, ka pranuar aktin e dorëheqjes së Shkëmbit, e ka falënderuar atë dhe shpreson që me Devollin ekipi të ecë përpara. Duket se momenti i vështirë i ekipit dhe rezultatet e dobëta e kanë bindur edhe presidentin e klubit se kështu nuk mund të vazhdohej më tej. “Është një moment që duhet të mendojmë dhe vendosim me qetësi për të mirën e Dinamos. Është momenti për ndryshim, sepse qëllimi ynë kryesor është që ta kthejmë Dinamon në vendin që i takon dhe besoj se kështu do të ndodhë. Kam pasur një takim me Shkëmbin, kam edhe një takim tjetër. Jam një njeri që i vlerësoj ata me të cilët bashkëpunoj dhe nuk është e lehtë të marr vendime të tilla. Kemi menduar për zgjidhje brenda familjes dhe për “gjak” dinamovit. Duam të afrojmë sa më shumë dinamovitë në skuadër. Jam presidenti i Dinamos, por jam edhe tifoz kryesor i saj, tifoz 100 karat i Dinamos”, është shprehur për mediat Bardhi. Stafi do të kompletohet, por deri dje pasdite gjërat ishin “në ajër”, ku askush nuk e kishte vendin të sigurt, por që gjithsesi, Dinamo mbetet klub i madh dhe mund ta kapërcejë këtë krizë, për t’u rifutur në garën për trofe dhe për të kapur të paktën zonën europiane këtë edicion.
Devolli zgjedh ndihmës Erjon Xhafën
Me largimin e Shkëmbit dhe ardhjen ne Devollit, ka nisur të kompletohet stafi, i cili vjen si pasojë e ndryshimeve të tërësishme që kanë prekur “nëndetësen”. Vetë Devolli i sapoemëruar, ka zgjedhur të bashkëpunojë me Erjon Xhafën, lojtarin që e njeh ambientin dhe njëherësh ka krijuar një përvojë të mirë gjatë viteve të fundit si teknik apo pjesëtar i stafeve teknike. Xhafa ishte teknik në krye të ekipit të moshës 19 vjeç të Dinamos e kjo mund të jetë një shtysë që ai të angazhojë në skuadër edhe ndonjë element të ri të perspektivës. Testi i parë i vërtetë për skuadrën dhe sidomos për stafin e ri teknik, do të jetë derbi me Partizanin ditën e mërkurë, që luhet në kuadër të Kupës së Shqipërisë, pra dueli i kthimit çerekfinal. Ky është shansi i fundit për Dinamon për trofe e për të kapur pjesëmarrjen në Conference League.






































