Masakra e 4 shkurtit të vitit 1944, ku u vranë 84 shqiptarë të pafajshëm, vijon të jetë “mollë sherri” mes ballistëve dhe komunistëve, të cilët kanë këndvështrime të ndryshme për këtë datë dhe sidomos mbi luftën partizane. Pak ditë më parë u shënuan plot 78 vite nga kjo masakër, ndërsa gjatë këtyre ditëve gazeta “SOT” ka sjellë për lexuesit opinione të ndryshe sa i takon kësaj ngjarje të rëndë. Sot gazeta po sjell një debat mes kreut të Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi dhe kreut të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Qemal Cicollari, të cilët japin mendimin e tyre mbi atë që ka ndodhur në 4 shkurtin e ’44.
Cicollari: Masakra e 4 shkurtit, vepër e ballistëve
Kështu fillimisht ka qenë zoti Cicollari, i cili nën cilësinë e kreut të PKSH, shprehu bindjen se pas masakrës së 4 shkurtit të vitit 1944 në Tiranë, sipas tij, fshihen pushtuesit nazistë dhe ballistët. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” e teksa jep detaje të qenësishme, kreu i Partisë Komuniste të Shqipërisë, Qemal Cicollari theksoi se 78 vite më parë pushtuesit nazistë dhe ballistët vranë pa gjyq 84 partizanë, ndërsa shtoi se gjithashtu u torturuan mbi 500 qytetarë të pafajshëm dhe u grabitën shumë familje. “Masakra e 4 shkurtit 1944 në Tirane është një nga krimet më të mëdha terroriste të pushtuesve nazistë gjermanë dhe veglave të tyre shqiptare kolaboracionistë, xhandarë e ballistë. Plani i masakrës së 4 shkurtit 1944 në Tiranë kishte ditë që ishte përpunuar në fshehtësi në zyrat e Gestapos në bashkëpunim me Xhafer Devën , ministri i Brendshëm kuisling dhe Kadri Cakranin , komandant i Përgjithshëm i forcave kolaboracioniste të Ballit Kombëtar. Natën e 4 shkurtit 1944 në Tiranë, sipas planit nazisto-ballist, shpërtheu terrori barbar i pushtuesve nazistë gjermanë dhe veglave të tyre kolaboracioniste xhandarëve të Xhafer Deves dhe ballistëve të Kadri Cakranit, të komanduar nga kapiteni nazist gjerman Lange. Si pasojë e këtij terrori nazisto-ballist u pushkatuan pa gjyq partizanë dhe 84 burra, të rinj e të reja, kufomat e tyre u hodhën rrugëve e rrugicave të Tiranës , u arrestuan e u torturuan mbi 500 veta, u grabitën me qindra shtëpi, etj”, deklaroi ai. Më tej zoti Cicollari shprehet se masakra e 4 shkurtit të vitit 1944 ishte një ngjarje me paramendim nga ballistët dhe nazistë, qëllimi i së cilës ishte përhapja e terrorit tek qytetarët. “Armiqtë nazistë gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre ballistët, xhandarët, etj, u përpoqën ta përdornin masakrën e përgjakshme të 4 shkurtit 1944 në Tiranë si mjet presioni e frikësimi kundër popullit për të hequr dorë nga Lufta Nacional-Çlirimtare. Por, kjo masakër e përgjakshme nazisto-balliste, siç tregoi historia, nuk e mposhti për asnjë çast luftën heroike të popullit shqiptar nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Shqipërisë me Enver Hoxhën në krye, kundër pushtueseve fashistë gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre kolaboracionistë tradhtarëve të atdheut ballisto-zogistë deri në shkatërrimin e tyre të plotë”, nënvizoi Cicollari.
Alimadhi: Partizanët ishin kriminelë dhe gjakpirës
Por për kreun e Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi akuzat se pas masakrës së 4 shkurtit të vitit 1944 fshihen ballistët janë thjeshtë mashtrime. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, zoti Alimadhi i quan gënjeshtra pretendimet e komunistëve se 4 shkurtit ishte vepër e ballistëve, ndërsa akuzoi partizanët se kanë vrarë mbi 6 mijë shqiptarë. “Megjithëse nuk ka dalë akoma e vërteta, këta mjeranë e kanë shumë të vështirëë kuptojnë apo të besojnë se kush është e vërteta. Historia është krejtësisht ndryshe dhe nuk ka asgjë të vërtetë, nuk ka dhe nuk është bërë 4 shkurti i 1944 nga Balli Kombëtar. Gënjeshtrat, shpifjet që thonë kriminelët komunistë dhe partizanë, të gjitha i kanë bërë vetë. Partizanët kanë qenë kriminelët më të mëdhenj të Shqipërisë, shpirtzinj, gjakpirës të pabesë, të pafe e gjithçka e kanë bërë kriminelët komunistë. Kush i vrau mbi 4000- 6000 shqiptarë? Natyrisht që kriminelët partizanë”, deklaroi Alimadhi. Më tej Alimadhi shprehet se nuk ka fakte, nuk ka fakte që ballistët janë përfshirë në krime. “Le te japin një fakt, një dokument se Balli Kombëtar ka bërë një vrasje nga këto krime që përmenda më lartë të provuara dhe të faktuara nga të gjithë. Por e vërteta është krejtësisht ndryshe, nuk ka pasur asnjë vrasje nga Balli Kombëtar, le të japin një rast kriminelët partizanë dhe komunistë, por gjithmonë kanë shpifur dhe gënjyer shqiptarët, vetëm gënjeshtra asgjë e vërtetë dhe të gjitha këto të pavërteta ia kanë hedhur padrejtësisht Ballit Kombëtar”, nënvizoi dje për gazetën “SOT”, kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi.
Ja emrat e të vrarëve në masakrën e 4 shkurtit ’44
Megjithatë në kuadër të masakrës së 4 shkurtit të vitit 1944 kanë dalë edhe një pjesë e emrave që mbetën të vrarë atë ditë. Nga dokumentet arkivore që janë bërë publike kohë më parë edhe nga veterani i mirënjohur i LANÇ-it, Kadri Dingu rezulton se nga 84 të pushkatuarit e masakrës së 4 shkurtit 1944,Tiranë, janë identifikuar vetëm 30 viktima, pasi pjesa tjetër ishin përdhosur trupat e viktimave barbarisht dhe gjymtuar e sakatuar saqë në atë kohë lufte ishte i pamundur identifikimi i tyre. Emrat e 30 viktimave që arritën të identifikoheshin ishin këta: Ramiz Treni dhe Sitki Çiço, antifashistë, të dy profesorë në gjimnazin e Tiranës. Xhemal Sojli, Harito Harito dhe Dr. Stefan Pano, antifashistë dhe aktivistë të Frontit Nacional-Çlirimtar, Fadil Rada, vëllezërit Maliq dhe Haki Huta, Sulejman Vrapi, Gjergj Legisi, Islam Alla, Fiqiri Gerblleshi dhe Ali Visha (trupi i të cilëve u gjet në lumin e Tiranës), aktivistë të rinisë komuniste dhe pjesëmarrës të njësiteve guerrile; Vingenca Apoli dhe Raxhioner Ravesi të dy antifashistë italianë, Gjergj Marangozi, antifashist malazez, David Kohe, çifut, Mina Thome, nga Vlora, i marrë nga hotel Parku, Vangjel Capo, Vasil Muzina, Petro Prifti, Sokrat Tako, Mihal Kogo, Dhimiter Torna, Emrullah Korja, Todi Shkurti, Osman Boriqi, Kurt Uka,Lake Kolonja e Hasan Çeliku, punëtor. Ja ç’tregon Havaja, nëna e Fadil Radës, për natën e shkurtit 1944: “Isha vetëm në shtëpi me djalin e vogël, Fadilin, se dy djemtë e tjerë, Ademi dhe Isufi, ishin partizanë. Në orën 20 të natës, xhelatët e armatosur thyen derën dhe më morën Fadilin. U ngjita pas djalit tim, por katilët më shtynë dhe më shkëputën nga ai. “Lidheni qenin!”, bërtisnin Qazim Mulleti dhe Osman Kazazi dhe mua më përplasën në fund të oborrit, ku dëgjova për herë të fundit zërin e Dilit tim të shtrenjtë duke më thënë: “Nënë, shko në shtëpi”, për dy ditë radhazi nëna me bukë në gji, kërkova nëpër Tiranë, që të gjeja djalin dhe t’i jepja për të ngrënë, por nuk e gjeta. Ah, unë e zeza! Pas dy ditësh shokët e tij ma sjellin trupin që e kishin gjetur në një gropë jashtë Tiranës, në rrugën e Elbasanit. Por mane zeza nuk e njohu Dilin, se e kishin copëtuar xhelatët. Qava dhe lotët për të s’mu thanë kurrë”, thuhet në materialin e publikuar nga Dingu.