Laçi kalon edhe Vllazninë, shfaqet si rivali i vetëm i Tiranës në rrugën e titullit 

0
198

Java e 19-të e Kategorisë Superiore u mbyll dje me dy ndeshjet e fundit të saj, ku Kukësi mposhti Egnatian në Rrogozhinë me rezultatin 2-0 dhe u rikthye fuqishëm në garë për kreun pas disfatës së një jave më parë ndaj Tiranës, kurse Laçi po tregohet javë pas jave si skuadra që po bind më shumë dhe me fitoren e djeshme ndaj Vllaznisë, 1-0, siguroi një trepikësh që e mban në ritëm me Tiranën, 6 pikë larg saj. Duhet thënë se fitorja e vështirë e kurbinasve e denjë për një skuadër kampione, tregon se Laçi i trajnerit Mirel Josa duhet llogaritur për titull. Grupi funksionon dhe kurbinasit jo vetëm janë “mace e zezë” për skuadrat e tjera pretendente, por ka gjasa që të jenë “kocka më e fortë” për të gjithë rivalët në pjesën e dytë të sezonit. Sa i takon Kukësit, verilindorët morën atë që deshën, pra trepikëshin, ndërkohë që rrogozhinasit tani ndjejnë kërcënimin e Kastriotit të vendit të fundit, që është vetëm një pikë larg.

Laçi i Josës makineri e pandalshme

Kur fitet për skuadra si Laçi i këtij sezoni mendja të shkon tek aftësia e grupit kurbinas për të marrë maksimumin në një 90 minutësh. Dhe e realizon këtë edhe ndaj ekipeve shumë të forta e rivale titulli. Dje viktimë e skuadrës së trajnerit Mirel Josa ishte Vllaznia e Shkodrës. Kështu, Laçi merr 3 pikë të arta ndaj Vllaznisë, (1-0), në një ndeshje spektakolare, ku nuk mungoi tensioni dhe rastet e shumta për shënim. Goli i Guindos me 11-metërsh në minutën e 65-të, i dhuroi 3 pikë të arta kurbinasve, që nuk i ndahen kryesuesve të Tiranës, duke ngushtuar sërish diferencën në 6 pikë, ndërkohë Vllaznia është pozicionuar në vendin e 4-t, 13 pikë më pak se bardheblutë e Shehit! Vlen të theksohet fakti se në pjesën e parë, Vllaznisë iu anulua një gol nga VAR-i, për prekje të topit me dorë të Da Silvës. Ndërkohë, trajneri Mirel Josa theksoi ndër të tjera se ekipi luajti fort për rezultatin, por përgëzoi edhe portierin e Laçit që u tregua në lartësinë e duhur. “Kishim përballë një Vllazni që përveç ekuilibrat i ka të rregulluara, del në sulm me forca të shumta, duke pasur parasysh Hakajn dhe Gurishtën që ndihmojnë sulmin. Duhet të jemi më efikases në daljet përpara. Sot ishte dhe portieri jonë në ditë të mirë dhe bëri ndërhyrje shumë të mira. Ishte një fitore ku u luajt shumë”, tha Josa.

Egnatia s’përballon furtunën e Kukësit, verilindorët fitojnë 2-0

Egnatia nuk ia doli të marrë pikë dje përballë Kukësit, pasi u mposht brenda në stadiumin e saj në Rrogozhinë nga Kukësi 0-2. Kemi të bëjmë me një humbje që lë shije të hidhur, pasi rrogozhinasit tani kërcënohen nga Kastrioti i vendit të fundit me vetëm një pikë larg. Për verilindorët dje shënuan Taipi në pjesën e parë dhe Ndreca në pjesën e dytë, gola që rezultuan vendimtar në suksesin me tri pikë të Kukësit dhe afrimin me Laçin që mban vendin e dytë. Duhet thënë se gëzimi i trajnerit Diego Longo në fund të ndeshjes tregon qartë se kjo fitore ka qenë mjaft e vështirë për verilindorët, prandaj ky trepikësh ka vlera të mëdha për vazhdimësinë e sezonit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here