Barcelona shkatërron Atletikon në La Liga, shkëlqen veterani Dani Alvesh 

0
165

La Liga spanjolle e ka humbur disi shkëlqimin gjatë dy sezoneve të fundit, pasi vëmendja ka kaluar në kampionatin anglez, i cili është shndërruar në më të fortin dhe më të bukurin e futbollit në Europë e në botë. Megjithatë, në Spanjë ka disa skuadra që bëjnë diferencë dhe luajnë futboll elitar që tërheqin vëmendjen. Dje ishte radha e një dueli midis Barcelonës dhe Atletikos së Madridit që tërhoqi vëmendjen edhe për pozitat e skuadrave por edhe për merkaton që kanë zhvilluar. Si përfundim, Barcelona e ka mposhtur 4:2 Atletiko Madridin të dielën për herë të parë në tri vitet e fundit në La Liga, duke u futur në top katërshe për herë të parë këtë sezon. Në atë që ishte një luftë e drejtpërdrejt për top katërshe në La Liga, Barça e mbizotëroi plotësisht kampionin në fuqi në “Camp Nou”, pavarësisht se luajti me një lojtar më pak në 20 minutat e fundit pas përjashtimit të Dani Alveshit. Barcelona tani ngrihet në vendin e katërt me 38 pikë, dy pikë më pak se Betisi në vendin e tretë dhe dy më shumë se Atletiko. Por ishte Atletiko ajo që e nisi ndeshjen për së mbari, kur Janik Karrasko shënoi për 1:0 për skuadrën e Diego Simeones në minutën e 8-të. Reagimi i Barçës, megjithatë, ishte i menjëhershëm, pasi Zhordi Alba e barazoi rezultatin në 1:1 vetëm dy minuta më vonë, duke e mposhtur Jan Oblakun me një goditje të mahnitshme me volley, pasi u shërbye nga Dani Alvesh. Gavi e kaloi skuadrën e Ksavit në epërsi për herë të parë në ndeshje, kur shënoi me kokë nga afërsia pas një harkimi nga Adama Traore, i cili debutoi titullar pasi iu bashkua Barçës nga Uolves këtë muaj. Ronald Araujo e dyfishoi epërsinë e katalanase dy minuta para pushimit mes pjesëve, kur e futi topin në rrjetë nga afërsia pas një topi të kthyer. Dani Alves e mposhti portierin Jan Oblak me një goditje të fuqishme brenda zonës, pas një topi të kthyer, duke e rritur në 4:1 epërsinë e Barçës me golin e tij të parë pas kthimit në klub. Pierre-Emerik Obamejang debutoi nga stoli për Barçën kur e zëvendësoi Traotren në minutën e 61-të. Luis Suarez i dha një fije shprese Atletikos duke shënuar për 4:2 në minutën e 58-të kundër ish-klubit. Uruguaiani nuk festoi dhe iu kërkoi falje katalanasve. Alveshi ia prishi vetes një kthim madhështor në “Camp Nou”, kur u përjashtua me karton të kuq për ndërhyrje jo sportive ndaj kundërshtarit në minutën e 69-të. Barcelona ia doli ta ruajë epërsinë prej dy golave në 20 minutat e mbetur, pavarësisht përjashtimit të Alveshit. Kjo ishte hera e parë që Barça i fiton dy ndeshje radhazi këtë sezon. një shenjë e mirë për trajnerin Ksavi dhe grupin blaugrana.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here