Bujar Alimani: Pa regjisor të mirë nuk ka filma të mirë, duhet të ketë gjykim të saktë të projekteve të filmave

0
428

Regjisori Bujar Alimani e mbylli vitin që lamë pas me një tjetër sukses të tij në fushën e kinemasë. Filmi “Virgjëresha shqiptare” me regji prej tij u vlerësua me dy çmime në festivalin e filmit në Varshavë. Skenarist dhe regjisor Bujar Alimani ka provuar suksesin jo vetëm brenda vendit me filmat e tij, por dhe në botë. Këtë muaj të parë të vitit që ka nisur për gazetën “SOT” Bujar Alimani regjisori i vlerësimeve ndërkombëtare flet për punën me filmin e tij “Virgjëresha shqiptare”, si dhe projektet në vijim. Kanë kaluar vite kur nisi karrierën si regjisor filmi, por thotë se tek ai ka ndryshuar përsosmëria profesionale, të parit ndryshe të gjërave, pjekuria estetike, të moskënaqurit me pak. Kërkesa për një karrierë të suksesshme me filma të mirë. Bujar Alimani një regjisor me produktivitet të lartë në kinemanë shqiptare atë të pas viteve 2000, shprehet dhe për problemet në jetën artistike. Sipas tij, në fushën e kinemasë duhet të ketë një gjykim të saktë e të drejtë të projekteve të filmit. Alimani pohon se filmin e bën regjisori. Sipas tij, skenari është gjë shumë e rëndësishme në film, por mbetet gjysmake po të mos shoqërohet nga një regjisor i mirë. Problem për regjisorin është dhe rrjeti i kinemave në vend, sipas tij bashkitë kujdesen për teatrot më tepër se sa për kinematë dhe rrjeti i kinemave mungon. Sa i takon projekteve të tij që disa janë në fillesat e tyre, regjisori Bujar Alimani thotë se përjashtim bën dokumentari “Fluturat” në të cilin është në montazh. Në filmat e tij si regjisor përmendim “Amnistia”, “Krom”, “Delegacioni”, etj.

-Vitin që lamë pas e mbyllët me filmin “Virgjëresha Shqiptare”, i cili u vlerësua me çmime në festivale ndërkombëtare. Për një regjisor si ju që e vijoni rrugën me vlerësime në festivale të ndryshme, çfarë mund të na thoni tani rreth këtij projekti kinematografik dhe atë që keni dashur të përcillni përmes tij?

“Virgjëresha Shqiptare” është një projekt, i cili sërish më vendosi në një stabilitet për sa i përket kualitetit të punës time si regjisor në këtë film të katërt të karrierës sime të metrazhit të gjatë. Mesazhi kryesor është ai i emancipimit të femrës dhe rolit, që duhet të zërë ajo në shoqëri. Me fjalë të tjera sa e vështirë ka qenë dhe vazhdon të jetë në shoqëri të mbyllura e patriarkale pozicioni i saj me të gjitha të drejtat. Edhe pse vjen nga e kaluara si temë, mesazhet janë absolutisht koherente.

-Në punën tuaj ndër vite si regjisor ju keni bashkëpunuar me aktorë të njohur, por dhe emra të rinj në fushën e kinemasë. Për ju si ka qenë kjo, dhe si i keni parë aktorët e rinj përballë atyre me më shumë vite aktivitet artistik në kinema?

Si në çdo epokë brezat e rinj të aktorëve ose në përgjithësi të artistëve vijnë gradualisht krah atyre me eksperiencë. Për fatin e mire tonin, aktorët tanë të karrierës së gjatë i kanë përqafuar aktorët më të rinj. Ka qenë një pakt i heshtur, por herë -herë edhe i shfaqur haptas se si në shesh të xhirimit aktorët më të vjetër këshillojnë më të rinjtë. Duke e ndjekur si regjisor natyrisht kënaqem kur shoh këto eksperienca të ndahen para syve të tu. Është diçka si pelegrinazh ku njerëzit ndihmojnë njëri- tjetrin pa asnjë interes.

-Ju jetoni në SHBA, por vinin herë pas here në Shqipëri për punën me filmat. Në Shqipëri çfarë do të donit të ishte më në favor të kineastëve me projektet e tyre në kinema?

Gjykimi i saktë e i drejtë i projekteve të filmit. Ky është në thelb favori më i madh, që mund tu bëhet kineastëve.

-Herë pas here regjisorë të ndryshëm apo dhe ju vetë më parë jeni shprehur për rëndësinë e skenarit në filma. Një skenar i mirë, çfarë sjell në film?

Skenari është gjë shumë e rëndësishme në një film ose për një film. Megjithatë i mëshoj kësaj ideje, e cila mbetet gjysmake po të mos shoqërohet nga një regjisor i mirë. Nuk mund të ketë film të mirë vetëm me një skenar të mirë. Absolutisht jo. Filmin e bën regjisori. Ndryshe shikuesve do tu ndanim në sallë kopjet e printuara të skenarëve. Ai që vë mbi radhët e shkruara vizionin estetiko -artistik, ai që përzgjedh aktorët, ai që ndjek gjithë rrugëtimin profesional të veprës është regjisori. Pa regjisor të mirë nuk ka film të mirë.

-Premierat e filmave shqiptarë mbesin pothuajse vetëm në Tiranë, sa problem shihet rrejti i kinemave në Shqipëri për ju?

Si gjithnjë bashkitë kujdesen për teatrot më tepër se sa për kinematë. Dhe rrjeti i kinemave mungon. Çdo regjisor do dëshironte që filmat e tij të shfaqeshin kudo nëpër Shqipëri. Përderisa privatët nuk e bëjnë e as kanë për ta bërë, këtë peshë duhet ta marrin sërish përsipër institucionet shtetërore.

-Festivali i filmit shqiptar nisi në 1976. Ka vite që mungon dhe i fundit u zhvillua në 2012. Si regjisor çfarë mund të na thoni për këtë festival që ka qenë një traditë, që para viteve ‘90?

Në Shqipëri mungojnë festivalet e filmit ose më saktë një festival i madh kombëtar, ku të përfshihet edhe Kosova dhe trevat e tjera shqipfolëse. Festivalet në disa qytete të Shqipërisë janë shumë të mirë që egzistojnë, megjithatë e theksoj se mungon një festival shqipfolës, vetë shqipfolës ku të përfshihen të gjithë prodhimet kombëtare. Në këtë stacion le të themi se do mund të kemi një tablo më të qartë për cilësinë pse jo edhe sasinë e produktit shqiptar kinematografik. Plus është një traditë e mirë që shërben edhe për kontaktet më të afërta të kineastëve mes tyre. Nuk arrij të kuptoj çfarë pengon organizimin e një eventi të tillë kaq e kaq vjet?

-Flitet për premiera filmash dhe puna që bëhet, por sipas artistëve mungon ajo që quhet shkrime të kritikës në art, ku flitet për vlerat artistike. Si regjisor, sipas jush sa shërben dhe për publikun kur kemi materiale të shkruara nga kritike profesioniste, studiues të fushës rreth kinemasë?

Mund t’ju them se pothuaj gjithë kineastët në Shqipëri janë të pakënaqur nga kritika e filmit në gazetarinë e mediat tona. Shpesh qortohemi se përse kemi tendenca të jemi të çmuar e vlerësuar jashtë Shqipërisë e jo kaq shumë brenda saj. Përgjigja është e thjeshtë, sepse në Shqipëri nuk ka kritikë të mirëfilltë as filmi e as teatri. Kritika e mirë dhe profesionale ndihmon në zhvillime marrëdhëniesh të ndërsjellta mes autorëve, publikut të zhvilluar lart nga ana estetike kërkuese, i cili vjen nëpërmjet kritikës.

-Brezin e ri të kineastëve, si e sheh në lidhje me kinematografinë?

Mendoj se përpjekjet po bëhen dhe herë- herë duken talente që spikatin. Do duhet më shumë guxim në trajtimin e tematikave, më shumë freski në një kinematografi e cila duhet të ecë me ritme bashkëkohore. Duhet të nisin më së fundi të lulëzojnë stile dhe individualitete. Por individualitetet përfaqësojnë në vetvete personalitete të fortë, pra duhen krijuar së pari këto personalitete të cilët do sjellin një kinema ndryshe, më të re, më bashkëkohore e të një niveli të lartë.

-Bujar Alimani regjisor dhe skenarist, nga filmi i parë si regjisor çfarë ka ndryshuar tek ju?

Kanë kaluar shumë vite që nga 2002 kur kam nisur karrierën time si regjisor filmi dhe siç ndryshojnë vitet , ndryshojmë edhe ne vetë. Përsosmëria profesionale, të parit ndryshe të gjërave, pjekuria estetike, të moskënaqurit me pak. Kërkesa ime për një karrierë të suksesshme me filma të mirë.

-Në aktivitetin e tuaj artistik me kinematografinë, jeni një regjisor me produktivitet të lartë në kinemanë shqiptare, atë të pas viteve 2000. Sa ka qenë kjo për ju e vështirë, me çfarë jeni përballur për të pasur suksesin?

Që nga viti 2011 kur kam realizuar filmin tim të pare të gjatë “Amnistia” deri në 8 tetor 2021 kur bëra premierën e “Virgjëreshës shqiptare” janë dhjetë vjet. Në këta dhjetë vjet kam realizuar katër filma me metrazh të gjatë, dy dokumentarë, një film me metrazh të mesëm. Po të vësh përballë riemigracionin tim në SHBA të cilin e nisa nga 0 në plot kuptimin e fjalës jam i kënaqur. Ka qenë tepër e vështirë, pothuaj në kufij të së pamundurës. Megjithatë ia kam dalë. Vazhdoj të punoj përditë pa pushim. Thjesht fle më pak, punoj më shumë. Kjo është e gjitha.

-Këtë vit, ku do të jetë e fokusuar puna juaj si regjisor me kinematografinë?

Jam i fokusuar në dy dokumentarë dhe tre projekte për miniseriale me episode. Dhe një projekt kinematografik, pra film artistik. Të gjitha janë në fillesat e tyre me përjashtim të “Fluturave” një dokumentar për vajzat, që kanë lindur e rritur në internimet komuniste në të cilin jam në montazh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here