Taulant Balla plas bombën ndaj Berishës, SPAK përveç “Gërdecit” do hetojë trafikun e armëve ku shfaqet emri i Shkëlzenit 

0
332

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë përplasur ditën e djeshme në Kuvend. Gjatë seancës Berisha kërkoi që Shqipëria të ndihmojë Ukrainën me fishekë dhe municione. Ish-kryeministri tha se duhet ngritur zëri ndaj kësaj çështje teksa ka vijuar me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut demokrat Lulzim Basha. “Çfarë është kjo narko-qeveri dhe narko-parlament që nuk thotë një fjalë të vetme sikur janë klan i Putinit për Ukrainën?! Jam këtu për t’i shprehur solidaritetin të plotë në emër të PD-së popullit ukrainas. Jam këtu për të ngritur zërin dhe për të ndihmuar Ukrainën që kërcënohet nga një barbari e Kremlinit. Shqipëria duhet të ndihmojë Ukrainën, të paktën fishekë dhe municione. Por argati i Beogradit jo më kot hesht. Ju deputetë duhet të ngrini zërin, se përfaqësoni PD-në dhe jo Lul Bravën. Nuk mundet këtu që të dominojë Beogradi me udhëzimet e tij. Të vijnë ata të dy të japin llogari për këtë, edhe kur mungojnë së bashku”, tha Berisha.

Tërmet nga rihapja e “Gërdecit”

Lidhur me këtë deklaratë reagoi Balla, i cili u shpreh se çështja e fishekëve erdhi sepse gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi, ndërsa rikujtoi ngjarjen e Gërdecit. Ai tha se shqiptarët e dinë sesi janë shitur fishekët që shkaktuan tragjedinë në Gërdec dhe sipas tij drejtësia e re me angazhimin e saj do të gjejë pronarët e vërtetë të asaj fabrike. Sinjalet e Ballës tregojnë se me hapjen e çështjes së Gërdecit, hetimet mund të godasin ish-kryeministrin po ashtu dhe familjarë të tij. Balla i përmendi filmin“Qentë e luftës” ku përmendet djali i ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha. “Mirë do të ishte që i vetmi deputet “non grata” në këtë sallë nga SHBA-të, të mos ishte në këtë sallë. Sa i përket çështjes së fishekëve “gjuha shkon ku dhemb dhëmbi” dhe bota e ka parë filmin “Qentë e luftës” dhe ne shqiptarët e dimë si u shitën fishekët që shkaktuan tragjedinë e Gërdecit, por falë drejtësisë së re e cila po shfaq angazhimin për ta hetuar, uroj të gjenden pronarët e vërtetë të asaj fabrike vdekje në Gërdec dhe si u shpërdoruan në gjithë këto vite asetet e mbrojtjes së këtij vendi dhe armatimin që u përdor për trafik, kontrabandë e gjithçka tjetër”, tha ai.

Balla: Nuk merremi me deputetin “non grata”

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, u shpreh se asnjë prej deputetëve nuk ka kohë të merret me deputetin “non grata” të Kuvendit, ndërsa e çoi fokusin në një tjetër temë. Duke qenë se dje ishte Dita Ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të Holokaustit, Balla rikonfirmoi aleancën e palëkundur për të luftuar antisemitizmin dhe racizmin, si dhe për të përforcuar qëndrimin kundër çdo akti urrejtjeje dhe dhune. “Asnjë prej nesh s’ka kohë të merret me “non grata” e këtij Kuvendi e të njëjtën gjë do bëj edhe unë. Sot është Dita Ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të Holokaustit na takon të rikonfirmojmë angazhimin tonë të palëkundur për të luftuar antisemitizmin, racizmin dhe çdo lloj forme të shprehjes së tolerancës. Miratimi i përkufizimit mbi antisemitizmin për përkujtimin e Holokaustit nga Kuvendi i Shqipërisë ka përforcuar qëndrimin, për të kundërshtuar çdo akte urrejtje dhe dhune”, u shpreh Balla.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here