SPAK mbyll hetimet për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, nga Lulzim Berisha te Shullazi, ja të pandehurit 

0
315

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për 2 vrasjet e ndodhura në vitin 2005, të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut. Ditën e djeshme u është komunikuar akuza Lulzim Berishës, Viktor Ymerit dhe Indrit Rusit. Ndaj Berishës, Rusit dhe Ymerit SPAK ka ngritur akuzat për “Vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Ndërsa ditën e sotme për të njëjtat vrasje, pritet t’u komunikohet akuza dy personave të tjerë të përfshirë, Emiljano Shullazit dhe Indrit Taullaut. Në lidhje me vrasjen e Lamajt dhe atë të Saliut, përveç personave të sipërpërmendur janë marrë të pandehur dhe Plarent Dervishaj dhe bashkëpunëtori i drejtësisë L.R. Ka qenë dëshmia e këtij të fundit ajo që çoi në zbardhjen e dy vrasjeve të bujshme të ndodhura 17 vite më parë. Dy prej të akuzuarve për vrasjet e 2005, Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj vijojnë të jenë ende në arrati. Hetimet për të dyja vrasjet deri në vitin 2020 kanë qenë të pezulluara për shkak se nuk ishin zbuluar autorët. SPAK rifilloi hetimet në vitin 2020 dhe pas regjistrimit të procedimeve penale i bashkoi në një çështje të vetme dy vrasjet.

2 vrasjet e 17 viteve më parë

Një emër mjaft i njohur në atë kohë, biznesmeni Vajdin Lamaj gjeti vdekjen pas një atentati me eksploziv mesnatën e 28 shkurtit të vitit 2005. Lamaj mbeti i vdekur pas shpërthimit të ashensorit në pallatin ku banonte, i cili shpërtheu menjëherë sapo ai hipi. Vajdin Lamaj ka qenë ish-president i Federatës së Boksit dhe ish-zv/president dhe bashkëpronar i “Top Albania Radio”. Së bashku me biznesmenin gjeti vdekjen dhe miku i tij Artan Arsi. Pak muaj para se t’i bëhej atentati me pasoja fatale, Vajdin Lamaj i ka mbijetuar një tjetër atentati. Në tetor të vitit 2004 Lamaj u ka shpëtuar plumbave, ngjarje në të cilën mbetën të plagosur lehtë dy persona. Dy ditë para vrasjes së Vajdin Lamajt ka ndodhur një tjetër atentat. Në autostradën Tiranë-Durrës, segmenti Durrës-Maminas u qëllua me armë zjarri ndaj mjetit tip “Mercedez Benz” me të cilin udhëtonte Klodian Saliu. Saliu ishte pjesë e Bandës së Durrësit, e cila u nda në dy të tjera për shkak të kontradiktave. Këto dy banda të reja kryesoheshin njëra nga Klodian Saliu dhe tjetra nga Lulzim Berisha, duke u kthyer në rivale me njëra-tjetrën. Në atentatin ndaj Saliut mbeti i plagosur shtetasi Osman Truma. Operacioni për ekzekutimin e Lamajt dhe Saliut u shtri në tre qytete, Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Dëshmia e L.R. 15 vite pasi u vranë Lamaj dhe Saliu ka zbardhur ngjarjet e ndodhura. Në dëshminë e tij L.R. ka treguar se është takuar me Lulzim Berishën dhe ky i fundit i ka kërkuar që të vriste Klodjan Saliun, ndërsa në këmbim Berisha do të vriste hasmin e L.R. Për sa i përket vrasjes së Vajdin Lamajt, i pandehuri në deklaratën e tij para SPAK ka thënë se është telefonuar nga Lulzim Berisha. Berisha i ka kërkuar Luftar Reçit t’i gjente kallëpe tritoli për vrasjen e Lamajt dhe ka zbuluar se bomba është përgatitur nga ai bashkë me Indrit Taullain. Ai ka zbuluar se Lulzim Berisha ka bashkëpunuar me Emiljano Shullazin për ekzekutimin e biznesmenit Vajdin Lamaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here