Qyteti antik i Bylisit është një nga potencialet e fshehura të arkeologjisë, u shpreh ministrja e Kulturës Elva Margariti. Plani i menaxhimit të parkut arkeologjik të Bylisit u përfshi dhe në diskutimet në Kuvend. Në fjalën e saj, ministrja Margariti duke replikuar me deputetin e Partisë Demokratike Bujar Leskaj, për planin e menaxhimit të parkut arkeologjik të Bylisit, tha se një grup ekspertësh kanë hartuar termat e kësaj gare. “Që në fillim të hartimit të termave për të gjithë vizionin, të cilin Delegacioni Evropian ka pasur mirësinë dhe besimin për të shpenzuar një shifër prej 6 milionë eurosh, ka qenë një grup ekspertësh i Ministrisë së Kulturës, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, që përbëhet nga dy departamente ai i Arkeologjisë dhe i Trashëgimisë, së bashku me Institutin e Arkeologjisë kanë hartuar të gjithë termat për garën ndërkombëtare që është zhvilluar për agjencinë ekzekutuese”, tha ministrja. Sipas saj, agjencia ekzekutuese në bazë të kësaj gare ndërkombëtare u shpall Bashkëpunimi Italian për Zhvillim, që aktualisht po harton planin e menaxhimit të Bylisit. “Në planin e menaxhimit të integruar të Bylisit ka konsulentë, arkeologë shqiptarë që bëjnë pjesë në këtë grup. Si dhe janë 3 profesorë të nderuar që bëjnë pjesë në Këshillin Teknik, i cili bashkë me Bashkëpunimin Italian për Zhvillim çojnë përpara të gjithë termat për muzeun e Bylisit”, tha Margariti. Bylisi është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike në territorin e Shqipërisë. Nëse e krahasojmë me Apoloninë, Butrintin ose Durrësin, Bylisi nga numri i monumenteve të gërmuara dhe nga gjendja e ruajtjes së tyre zë vendin e parë. Por gjatë këtyre ditëve arkeologë të ndryshëm janë shprehur kundër ministres Elva Margariti, që sipas tyre po përjashton arkeologët shqiptarë në Bylis.
































