Grid Rroji, ish-këshilltari i Sali Berishës, ka zbardhur dje detaje mbi lidhjet e politikës shqiptare me influencat e huaja. Në periudhën 2007-2009 ai ishte shefi i Departamentit të Informacionit në Kryeministri, por më pas u largua nga Berisha dhe nuk i ka ndalur kritikat ndaj këtij të fundit. Përmes një analize në rrjetet sociale, ai ka folur dje mbi atë që po ndodh në Ukrainë, ndikimin rus në Shqipëri, por dhe lidhjet që ka politika me shtete të tjera që i ndihmojnë në prapaskenë. Sipas Rrojit, presidenti Ilir Meta ka raporte shumë të mira me rusët dhe me grekët dhe në luftën me amerikanët ka mbështetjen e tyre. Sa i takon Berishës, ai shprehet se pas tij fshihen grekët, rusët dhe francezët, ndërsa ka hedhur dyshime dhe për ndikim kinez në politikën shqiptare. “Me gjithë konfliktet e brendshme, paria bëhen bashkë për të evituar rrezikun e jashtëm. Dhe mënyra më e mirë për ta bërë është futja në lojë e rivalit strategjik. Kjo pra është origjina e antiamerikanizmit virulent që nxorën nga vrima disa deklarata (ndoshta të pakujdesshme) të Ambasadores Kim. Kur Parisë i rrezikohet Koka, nuk ka çmim që nuk janë të gatshëm me pague për të ruajtur veten. Kërkimi i një padroni të ri është mënyra më efikase. Mbështetja greko-ruse (por edhe i aksit gjermanik) duhet të jetë burimi i qetësisë tallëse me të cilën Presidenti po trajton Ambasadën e Superfuqisë më të madhe sot. Mbështetja greko-ruse, (por edhe e Francës) duhet të jetë burimi i energjisë së rigjetur të Sali Berishës i cili e di më mirë se kushdo se çfarë ndodh kur i kundërvihesh SHBA-ve. Asnjëri prej tyre nuk flet për Greqinë, përveçse me superlativa”, shprehet Rroji.
Situata në PS
Më tej ai shprehet se socialistët përtej asaj që shprehen, nuk kanë qenë proamerikanë. Sipas tij, edhe në PS kanë ndikim grekët. “PS-ja në të gjitha dimensionet e saj nuk ka qenë kurrë realisht proamerikanë. Thjeshtë kanë paguar haraçin e mbajtjes së pushtetit. Lidhjet me Greqinë i kanë të hershme, qysh nga koha kur vinte çanta me pare me korrier diplomatik nga Athina. Lidhja shpirtërore me Sajuzin është po aq e mirëdokumentuar. Nëse dikush mendon se disa si p.sh. Fatmir Xhafa apo Taulant Balla do t’i dalin për zot SHBA-ve kundër lidhjeve të veta të thella me dorën e vjetër, ka gabuar rëndshëm llogaritë. As Erion Veliaj e asnjeri nga ata që u përgatitën për këtë ditë në Perëndim nuk i ndenjën besnikë SHBA-ve. SPAK i forttrumbetuar u kthye në vegël të Parisë. Pse duhet pritur ndryshe nga këta të tjerët?”, tha ai më tej.
Ndikimi kinez
Sipas Rrojit, përveç ndikimit rus dhe grek, në Shqipëri ka një rritje të ndjeshme të ndikimit kinez dhe ka shumë politikanë që janë prekur. “Përtej Rusisë, Paria ka hapur krahët edhe ndaj Kinës me të cilën gjen afërsi sistemike dhe joshje ekonomike. Sistemi i “demokracisë” kineze ku rolin primar e ruan Partia, dhe paret i nxjerrin nga ekonomia kapitaliste, ishte plani fillestar i Ramiz Alisë dhe Sigurimit të Shtetit. Pas 30 viteve, tanimë të pasuruar e shumë më të njohur me dobësitë e shoqërive perëndimore, po e rishfaqin atë projekt. Sërish, për sa kohë ka pare, Paria është në rregull”, ka vijuar ish-këshilltari i Berishës.
































