Këshilli i Ministrave miratoi dje një vendim që lidhet me përcaktimin e masave të sigurisë dhe përgjegjësitë për aktivitetet sportive dhe veçanërisht për rastet e dhunës në ndeshjet e futbollit. Është një paketë ligjore që përmirëson treguesit aktualë në menaxhimin e garave sportive, veçmas të ndeshjeve të futbollit, ku dhuna kishte krijuar një atmosferë të zymtë në sportin shqiptar, qoftë nga përplasjet brenda fushës, ashtu dhe nga përplasjet e tifozerive brenda dhe jashtë stadiumeve. Me kuadrin e ri ligjor, qeveria u jep mundësinë federatave sportive dhe aktorëve të lojës, të bashkëpunojnë më ngushtë me institucionet qeveritare për të evituar dhunën në sport. Për këtë arsye qeveria angazhon Ministrinë e Sporteve, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Drejtorinë e Policisë së Shtetit që të zbatojnë vendimet e marra, kuptohet, në bashkëpunim me federatat përkatëse sportive. Që në krye të vendimit, qeveria ka përkufizuar termat që lidhen me sportin, si “oficeri ndërlidhës për tifozët”, “dhomat e kontrollit”, “masat e sigurisë”, “sistemi i kamerave”, “sistemi i adresimit të publikut” etj.
Përgjegjësitë
Është e qartë tashmë se përgjegjësitë janë ndërinstitucionale, por përgjegjësia kryesore shkon për federatat përkatëse sportive, të cilat ngarkohen të marrin masa anti dhunës dhe të promovojnë “fair-play”-in, të hartojnë rregulloren e masave të sigurisë dhe të mbajë përgjegjësinë e ruajtjes së sigurisë në veprimtaritë sportive, duke e përfshirë këtë vendim pjesë të asamblesë së saj brenda 6 muajve nga data e publikimit në fletoren zyrtare e kjo vlen edhe për anëtarët e federatave, që janë klubet dhe aktorët e lojës. Çelësi i suksesit të vendimit të ri të qeverisë lidhet me oficerin e caktuar për mbarëvajtjen e sigurisë së garave sportive. Oficeri në fjalë bën bashkërendimin e punëve midis klubeve, federatës dhe Policisë së Shtetit dhe me këtë vendim të ri merr atributet e zgjidhësit të problemeve. Në të gjitha rastet, organizatori i veprimtarisë mban në korent të ngjarjeve dhe informon vazhdimisht Policinë e Shtetit Oficeri ngarkohet të raportojë edhe autoritetet përkatëse për garat e pritshme, numrin e tifozëve, rreziqet e mundshme, pjesëmarrjet direkte dhe indirekte etj. Kurse federata dhe organizatorët njihen me personat përgjegjës të policisë që kanë tagrin e ruajtjes së sigurisë në impiante. Bazuar në këto veprime e përgjegjësi, vendimi i ri i qeverisë u ka dhënë instancave mundësinë të ndërtojnë strategjinë anti-dhunë në impiantet tona sportive, masa që merren paraprakisht para se të luhet ndeshja, pasi janë pikasur elementët e dhunshëm dhe janë dhënë informacionet që mund të ketë episode dhune. Në të gjitha rastet, tifozët para se të marrin biletën janë të detyruar të japin të dhënat e tyre personale, të dhëna që mbrohen nga punonjësit e sigurisë. Veprimtari të tilla si politike apo ato që kanë karakter homofob e racist, me vendimin e ri të qeverisë ndalohen rreptësisht. Po ashtu, do të ketë kontrolle të forta për ndalimin e hyrjes në impiante të pijeve alkoolike dhe produkteve të tjera që bien ndesh me frymën e udhëzimeve të reja anti-dhunë në sportin shqiptar, veçmas në ndeshjet e futbollit.






































